Kryetari i Partisë Demokratikë të Kosovës, Kadri Veseli në ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ka paralajmëruar se vetëm partia që ai e drejton mund ta bëjë rimëkëmbjen kombëtare të shqiptarëve.
Sipas tij pandeminë e mashtrimit nga qeveria Kurti dhe Hoti mund ta ndal vetëm PDK.
Ai tha se në kryeqytetin historik të shqiptarëve ka mbledhur partinë e tij para të cilëve paraqiti platformën për rimëkëmbje kombëtare.
Kreu i PDK-së tha se më 6 tetor të vitit të kaluar ndodhi mashtrimi madh politik që sipas tij dobësoi shtetin e Kosovës.
Veseli: Më 6 tetor të vitit të kaluar ka ndodhur një mashtrim i madh politik
“Më 6 tetor të vitit të kaluar ka ndodhur një mashtrim i madh politik, që ka vënë në rrezik shqiptarët. Qasja majtiste ekstreme dhe ideologjia anti-amerikane – kanë tronditur orientimin tonë kombëtar. Ndërsa, fryma e urrejtjes dhe e përçarjes brenda, dobësoi shtetin tonë dhe i hapi orekse pretendimeve antishqiptare. Ne nuk kemi njerëz për të humbur. Nuk kemi toka për të dhënë. Dhe, nuk lejojmë askënd të cenojë vlerat tona, lirinë, shtetin dhe kombin tonë. Sot, nga Prizreni, ku kam mbledhur edhe kryesinë e partisë për një takim të gjatë pune, si Kryetar i PDK-së po e filloj ngadalë edhe prezantimin para qytetarëve të Kosovës të platformës sonë të rimëkëmbjes kombëtare”, tha ai.
Kryetari i PDK-së tha se vetëm subjekti që ai e drejton mund të ndal pandeminë e mashtrimit të qeverisë Kurti, e cila është trashëguar siç tha ai edhe nga qeveria Hoti.
Veseli: Do t’i mbroj qytetarët dhe Kosovën nga mashtrimi
“Do t’i mbroj qytetarët dhe Kosovën nga mashtrimi, ndërsa asnjëherë nuk do t’i ikë përgjegjësisë shtetërore dhe kombëtare.Me qëndrimin në opozitë, ne duam të jemi të përgjegjshëm para qytetarëve dhe votueseve tanë. Qeveria Hoti e ka të trashëguar virusin e mashtrimit të Qeverisë Kurti. Këtë pandemi politike do ta ndalë vetëm PDK. Ne do të jemi opozitë për t’i hapur një derë të re një epoke të madhe të shqiptarëve. Njerëz të rinj dhe ide të reja – do të jenë themel i projektit tim të ri me PDK-në për Kosovën. PDK do të angazhohet për një Qeveri të vogël, por në funksion të rritjes së madhe te mirëqenies ekonomike, punësimit e cilësisë më të madh në arsim”, tha Veseli.
Veseli adresoi edhe kritika për qeverisjen aktuale në Prizren.
Veseli: Ky qytet ka humbur 3 vjet nga keq-qeverisja e koalicionit të mashtrimit
“Ky qytet ka humbur 3 vjet nga keq-qeverisja e koalicionit të mashtrimit VV-LDK. Fatkeqësisht, shumë korrupsion e hajni, dëmtim të zonës historike, e të potencialit të turizmit. Ky koalicion mashtrimi, që braktisi qytetarët në Prizren këto ditë, e ndoqi shembullin e qeverisë 100-ditëshe të mashtrimit e status quos-së VV e LDK në qendër.Këta nuk meritojnë më votë dhe duhet të ndëshkohen. Prizreni, si gjithë Kosova, meriton më shumë dhe më mirë. Vetëm PDK mund ta bëjë këtë”, deklaroi ai.
Kreu i PDK-së deklaroi se partia që ai e udhëheqë PDK do të angazhohet për drejtësi për mijëra viktima të pafajshme, dhe që së shpejti në Kuvendin e Kosovës do të iniciojë nismën ligjore për procesin e ndëshkimit të krimeve të komunizmit në Kosovë.Sot në ditën e shënimit të 142 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli u zotua se në mandatin e ardhshëm do e lidh Prizrenin me Tetovën.
Veseli: Vitin e ardhshëm do t’ia kthejmë Prizrenit qeverisjen e PDK-së
“Premtime për autostradë me Tetovën nga Prizreni keni dëgjuar gjatë fushatës nga një parti që thirret në ngjyrat kuq e zi, por kurrë nuk e përmendi kur erdhi në pushtet. Madje, as që planifikoi buxhet për të, siç kishte premtuar. Vitin e ardhshëm do t’ia kthejmë Prizrenit qeverisjen e PDK-së, ashtu si dhe gjithë Kosovës, me përkrahjen e madhe qytetare dhe do të qeverisim me njerëzit më profesionistë dhe më të mirë”, tha ai.
Veseli ka folur edhe për procesin e vettingut për çka tha se në programin e PDK-së nuk është akt deklarativ, siç ka menduar qeverisja e mashtrimit, por do jetë platformë e përgjithshme që do ta luftojë krimin.
Në shënimin e 142 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kreu i PDK-së ka bërë homazhe te shtatoret e Abdyl Frashërit, Sylejman Vokshit dhe Ymer Prizrenit. Më pas ai ka vizituar edhe muzeun e ish burgut në Prizren./ Tv Malisheva