Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar sot stacionin e trenit në Prishtinë, nga ku ka kërkuar që ky stacion nga i cili janë depërtuar mijëra shqiptarë nga lufta e fundit të kthehet në muze.

Këtë iniciativë që ky stacion të kthehet në muze, kreu i PDK-së e kishte propozuar edhe vitin e kaluar.

Veseli tha se ky muze do të bëhet, pasi sipas tij tregon për vuajtjen që ka përjetuar populloni Kosovës.

Veseli: Muzeu do të bëhet

“Kjo është fusha e dhimbjes e Prishtinës, kjo në fakt pavarësisht ndërtimeve është monument në vetë, kur gjysma e Prishtinës janë deportuar nga këtu, nuk e kanë ditur fatin e tyre, a po ndahen burrat me gratë, a po ndahen fëmijët nga prindërit. Do të thotë është vet fati jonë jetësor, për këtë arsye ky monument duhet vetëm të zyrtarizohet ajo të cilën edhe tashmë e kemi propozuar. Më vjen keq që nuk ka ndodhur, por nuk ka qare pa ndodh. Ky do të jetë muzeu i dhembjes së Kosovës, muzeu i dhembjes së Prishtinës. Ne duhet të mos jemi popull hakmarrës, por të dokumentojmë dhimbjen të cilën e kemi kaluar”, tha ai.

Veseli u shpreh se nuk do të heqin dorë as nga kërkesa për të pagjeturit e Kosovës.

Ai tha se do të ecin përpara pavarësisht siç tha ai, budallakive që po bëhen sot.

Veseli: Nuk do të heqim dorë, do t’i kërkojmë të pagjeturit

“Shumë po politizohet çdo gjë në Kosovë, por dhimbja jonë nga shteti serb si shqiptarë është veç një, nuk ka parti, nuk ka politikë dhe duhet të kryhet kjo pjesa e cila është obligative. Nuk kemi me heq dorë, as ndërmend nuk e kemi të heqim dorë nga ideja edhe për të pagjeturit në mënyrë te veçantë. Nuk kemi me heq dorë, nuk ka asgjë më të rëndë, e takova tani një fëmijë që e pret prindin e vet, mendon se çdo ditë do t’i kthehet. Kjo është dhimbja jonë e Kosovës dhe kemi obligime me ec përpara dhe do të ecim përpara pavarësisht edhe këtyre budallakive të cilat po bëhen sot”, tha i.

Ndërsa, anëtari i PDK-së, Migjen Kelmendi, ka ndarë përvojën e tij pasi edhe ai ishte larguar nga Prishtina nga ky stacion.

Ai tha se ky stacion i trenit duhet të bëhet muze, pasi që do ta ruajë peshën e lirisë që sot e gëzojnë.

Kelmendi: Ishim mbi m30 mijë vet, qyteti u shpraz

“Unë bashkë me 30, ka edhe shifra që thonë 50 mijë. U detuam me dhunë me i lëshua shtëpitë e veta dhe në mënyrë të organizuar, të ndjekur nga policët të makinerisë së Milloshevicit u detyruam me ardhë në këtë fushë, e cila sot e ka humbur pak atë autenticitetin e vet me këto ndërtimet e shëmtuara. U krijua një Prishtinë e vogël e cila e priste trenin me ardhë dhe në një mënyrë bile me u angazhua që me e gjet një mënyrë për me hy në tren për të shkuar nuk e dishim edhe ku. Nuk ishte e qartë a po na dërgojnë në kufi me Maqedoninë, dikush thoshte se diku tek Ferizaj i shkarkojnë burrat i ndajnë edhe i pushkatojnë. Ai transport u zhvillua në atë mënyrë që në masivitet u shpraz qyteti edhe të gjithë u bartën në kufi me Maqedoninë dhe atje u detyruam me e lëshua trenin dhe me kalua një kordon të policëve deri tek ai vend që sot quhet Bllacë dhe që nau ka shënuar si një vend i tragjedisë shqiptare”, tha ai.

Ai tha se është mëkat që me këtë tragjedi dhe këtë dramë të shqiptarëve ka forca politike që po përpiqen me përfitua nga keqinterpretimi i tyre, nga minimizimi i tyre.

Kelmendi tha se ka të shkruar një tregim që tregon atë që është përjetuar në këtë vend.

Edhe qytetari Remzi Berisha ka ndarë përvojën e tij nga stacioni i trenit në Prishtinë gjatë kohës së luftës.

Berisha: Këtu ka pas edhe lindje, ka pasur edhe vdekje

“Këtu ka pas edhe lindje, ka pasur edhe vdekje. Ka njerëz që shumë vijnë dhe ua festojnë ditëlindjet fëmijëve të tyre. Ka pasur shumë njerëz që kanë vdekur këtu, kanë bartur kufoma prej këtu. Krejt Prishtina është deportuar prej këtu, ka pasur rast ka tri net kanë fjetur njerëzit këtu, se nuk kanë pasur mundësi me hyp në tren, kush ka mundur ka hy për dritare, për dere, gjithqysh”, tha ai./ Tv Malisheva

Share.