Partia Demokratike ditën e tretë të fushatës zgjedhore e ka nisur në komunën e Shtërpcës.

Në qytetin me shumicë serbe, kandidati për kryeministër, Kadri Veseli ka adresuar kritika ndaj dy partive politike, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke i quajtur dy liderët e tyre bartës të koalicionit të korrupsionit.

Lideri i PDK-së para banorëve shqiptarë të Shtërpcës paraqiti vizionin e tij qeverisës, që tha se do të jetë me zhvillim ekonomik, ndërmarrësi dhe luftim të korrupsionit dhe nepotizmit.

“Me lënë një alternativë, koalicion i cili takohen herë ditën, herë natën, i cili do të jetë vetëm koalicion i korrupsionit, e ai koalicion është Mustafa-Kurti. Kjo është ajo që qytetarët e vendit tonë do të përcaktojnë. Ne jemi me projektin e Kosovës euroantlantike, perëndimore bashkë me ShBA-të”, tha ai

Veseli duke përmendur planprogramin qeverisës, iu premtoi banorëve të kësaj ane më shumë subvencione dhe përkrahje maksimale për fermerët.

Teksa tha se ata në krye të ekzekutivit do të qëndrojnë afër partnerëve strategjik të Kosovës.

“Vizioni i PDK-së i cili është vizion i ekonomisë së lirë, dijes, ekonomisë së prodhimit, ndërmarrësisë, njerëzve punëtorë . I njerëzve që mendojnë me zhvillu vendin e vet. Ky ka me qëndru afër shumë fuqishëm me partnerë perëndimor”, tha Veseli.

Ndërsa, kryetari i degës së PDK-së në Shtërpcë, Beqir Fejzullahu u shpreh i bindur në fitoren e PDK-së, kjo pasi sipas tij, partia e tyre duhet të jetë në krye të proceseve të rëndësishme.

“PDK është parti çlirimtare, është parti shtetëformuese dhe shtetndëturse. PDK-ja ka qenë në krye të proceseve më të rëndësishme që kanë ndodhur në Kosovë”, tha ai.

Share.