Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka dalë sot në terren në takime të shumta për ta mobilizuar strukturën e partisë për zgjedhjet e parakohshme nacionale në vend, që do të ndodhin shumë shpejt.

Ai ka qëndruar sot në Malishevë, Rahovec e Suharekë ku është takuar me kryesitë e degëve, të dala nga një proces shembullor i zgjedhjeve të brendshme.

“Zgjedhjet janë të pashmangshme. Partia Demokratike e Kosovës është jashtëzakonisht e përgatitur për zgjedhjet e reja. Ne dalim në këto zgjedhje për fitore bindëse. Sepse, nuk ka asnjë parti më të konsoliduar se ne, nuk ka asnjë parti më të përgatitur sesa ne”, ka thënë Veseli para anëtarëve të partisë së tij në këto tri komuna.

Veseli ftoi anetarët e degëve që të vazhdojnë të jenë në komunikim të përditshëm me secilin qytetar, në mënyrë që programi i PDK-së të jetë ashtu si gjithmonë në përputhje të plotë me kërkesat e qytetarëve dhe qëllimeve ku vendi synon të arrijë.

“Ne kemi programin që i duhet Kosovës. Ne e kemi të qartë se ku duhet të jemi si vend edhe në këtë dekadë dhe kemi njerëzit më të mirë që do të implementojnë vizionin për Kosovën. Për shtet më të fuqishëm, për ekonomi më të fortë, për një Kosovë të shanseve të barabarta”, tha ai.

Ditë më parë Veseli ka takuar edhe degët tjera të PDK-së me qëllim të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme nacionale.

Share.