Aaron Rexhaj, 24-vjeçar dyshohet se ditë më parë ka shkaktuar një aksident, ku si pasojë mbeti i vdekur një person.

Gazeta Insajderi merr vesh se i njëjti tashmë është vetë-dorëzuar në Stacionin e Policisë në Pejë.

Këtë për Insajderin e ka konfirmuar avokatja e familjes, Aurora Mulhaxha.

Ajo i ka thënë Insajderit se shkaku që i njëjti ende nuk ishte dorëzuar, ka qenë një vizitë e saj jashtë vendit.

“Unë jam avokate e familjes. Aaron e ka shtyrë dorëzimin deri në këto momente derisa unë isha në një vizitë jashtë vendit, dhe sapo është dorëzuar”, ka thënë Mulhaxha për Insajderin.

Ditë më parë, Aaron Rexhaj dyshohet se shkaktoi aksidentin me fatalitet në Pejë, ku e goditi për vdekje një këmbësor dhe i njëjti dyshohet se u largua nga vendi i ngjarjes.

Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, Policia kishte kërkuar ndihmë për identifikimin e personit.

“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të kërkuar për shkaktim të aksidentit me fatalitet në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor”, thuhej në njoftimi i Policisë.

Rexhaj ishte në kërkim edhe më 2021 ku në atë kohë kërkohej për “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Ai njihet edhe me nofkën “Kinezi”.

/TV Malisheva

Share.