Janë vetëm 17 shtretër në Qendrën COVID-19 në Drenas, ndërkohë që vetëm gjatë një dite marrin shërbime 260 pacientë të infektuar me këtë virus. Si shkak i fluksit të madh të të infektuarve, jo rrallë herë ata po ballafaqohen me pritje. Gjendja e tyre është stabile, ndërsa një pacient tjetër është dërguar në QKUK, për shkak të gjendjen më të rënduar.
Ambulanca COVID-19 në Drenas ka filluar të trajtojë pacientët e infektuar më 30 gusht.
Doktoreshë Fatbardhë Tahiraj tregon se gjatë mëngjesit të sotëm janë trajtuar katër pacientë me oksigjeno-terapi.
“Fillimisht gjendja nuk ka qenë e mirë sepse ka pasur më tepër pacientë në javën e parë. Tani në javën e dytë është më e qetë. Sot kemi pasur diku 20 vizita mjekësore. Ndërsa shërbime mjekësore diku rreth 40 kanë qenë. Në përgjithësi situata është e qetë, përveç një rasti që e kemi pasur me saturim shumë të ultë dhe e kemi udhëzuar për Prishtinë… Sot kemi pasur katër raste që janq trajtuar me oksigjeno-terapi. Ndërsa në mbrëmje janë gjashtë-shtatë”, thekson ajo.
E mjeku tjetër kujdestar, Alban Bajrami shton se në këtë qendër në Drenas janë katër mjekë, ndërkohë që ka fluks të madh të pacientëve.
“Pacientët më të prekur i kemi të moshës 40 e tutje. Shumica e pacientëve që kanë gjendje më të rëndë klinike janë të pavaksinuar ose janë të vaksinuar me dozën e parë të vaksinës. Gjendja e tyre për momentin është stabile… Përafërsisht vizita ditore që kryhen në ditë janë 260 që kryhen vizita dhe shërbime”, deklaron ai.
E vetëm gjatë javës së kaluar nga kjo ambulancë për COVID-19 janë udhëzuar 25 pacientë për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Në ambulanten për COVID janë 17 shtretër. Problemi më i madh ka qenë fluksi më i madh i pacientëve që janë trajtuar me terapi dy herë në ditë. Ndoshta ka qenë problem qe të menaxhohen brenda ditës për shkak të numrit të madh të nevojave dhe kërkesat sa kanë qenë nuk janë aq sa duhet”, shton ai për KosovaPress.
Për shkak të numrit të vogël të shtretërve, Bajrami pohon se pacientët janë ballafaquar me pritje për shkak se nuk kanë pasur mundësi të marrin trajtimin.
Në këtë qendër po trajtohen pacientët e të gjithë rrethinës në Drenas.
“Vështirësi ka pasur më shumë në fillim, për shkak se ka pasur pacientë që kanë dal pozitiv dhe kanë shkuar në Komoran dhe i kanë orientuar me ardh këtu. Mirëpo tash e kanë mësuar qendrën dhe presin në rend nëse është e nevojshme”, shprehet Tahiraj
Vetëm gjatë ditës së djeshme janë konfirmuar 685 raste me COVID-19, ndërsa 30 kanë humbur betejën me këtë infeksion. /TV Malisheva