Në të gjitha vendet e Evropës qytetarët mund të blejnë aksione në bursat botërore përmes bankave komerciale.

Derisa bankave në Kosovë u mundësohet edhe me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për të ofruar shërbime për blerjen e aksioneve në vendet tjera, ato janë të fokusuara vetëm në instrumentet financiare në formën e huadhënies, për çka ekspertë të ekonomisë konsiderojnë se këto banka duhet të avancohen dhe konkurrenca në rangun bankar duhet me qenë më cilësore dhe me më shumë produkte.

Drejtori i departamentit  të Thesarit në Raiffeisen Bank në Kosovë, Berat Isa thotë se për KosovaPress, se kjo bankë u ofron mundësinë klientëve të saj që të qasen në bursat ndërkombëtare dhe të blejnë aksionet e firmave të ndryshme që tregohen në bursat ndërkombëtare, qoftë në Evropë ose në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Isa shprehet se Raiffeisen Bank në Kosovë, vonë është kyçur në këtë treg, krahasuar me degët tjera ku operon Raifesen Bank, por me aprovimin e ligjit për banka në vitin 2012, njëra prej aktiviteteve të lejuara është edhe mundësia për tregtuar në letra me vlerë, qoftë për qëllime vetanake të bankës, qoftë për t’i ofruar këtë mundësi që vet klientët të blejnë.

Isa duke u shprehur se janë të vetmit në Kosovë që ofrojnë këtë mundësi për klientët, thotë se është një numër i konsiderueshëm i klientëve që shprehin interesim të marrin pjesë në tregun evropian, por edhe në Kosovë.

Isa: Kemi mbi 100 klientë që janë aktiv në bursa ndërkombëtare

 

“Ka interesim, janë persona të cilët janë të interesuar që të marrin pjesë edhe të jenë pjesë e zhvillimit ekonomik nëpër këto vende ose për firma të ndryshme të cilët realisht tregtohen nëpër bursa ndërkombëtare. E kanë gjetur mënyrën klientët që të investojnë dhe të jenë pjesë e rritjes së këtyre kompanive të mëdha. Kemi filluar në vitin 2012, për momentin i kemi mbi 100 klient që janë aktiv, që në bazë ditore tregtojnë në këto bursa. Kemi disa prej tyre që thjesht i kanë blerë këto letra me vlerë dhe janë investitorë afatgjatë, të cilët presin që në një moment të caktuar t’i shesin këto letra me vlerë”, thotë Isa.

KosovaPress ka kërkuar përgjigje edhe nga bankat tjera, por asnjëra prej tyre nuk janë përgjigjur se përse nuk i ofrojnë këto shërbime për klientët e tyre. As në shoqatën e bankave nuk janë deklaruar lidhur me këtë temë.

Zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti, thotë për KosovaPress, se bankat në politikat e veta specifikojnë operacionet aktivitetet financiare në të cilat angazhohen brenda licencës që kanë.

“Rrjedhimisht, nuk ka ndonjë kufizim rregullativ në këtë drejtim se a mund të angazhohen në emër të klientëve për blerjen e aksioneve në vendet tjera”, thotë Ahmeti.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë, se bankat në Kosovë e kanë një funksion tjetër, janë kryesisht ndërmjetësues financiar në instrumentin e huas për financimin e atyre që kanë nevojë.

Rukiqi: Bankat duhet të avancohen për më shumë produkte

 

“Bankat duhet me avancuar, konkurrenca në rangun bankar duhet me qenë më cilësore dhe me shumë produkte, normalisht që është edhe ky funksioni i ndërmjetësimit financiar jo vetëm te huat, por edhe te instrumente tjera që munden me qenë dobiprurëse për ekonominë e vendit”, thotë Rukiqi.

Përderisa rritja e kreditimit në sektorin bankar po ndodhë në vazhdimësi e përcjellë me zvogëlim të mëtutjeshëm të kredive jo performuese, fitimi i bankave komerciale për vitin 2019 ishte rreth 80 milionë euro/TV Malisheva /

Share.