Po vijon dita e tretë e Kongresit të Parë Klinik të organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës dhe Odës së Mjekëve.

Ky është sesioni i parë me 800 pjesëmarrës të cilët po përcjellin virtualisht dhe fizikisht këtë kongres.

Profesor Arben Beqiri, i cili është kirurg abdominal thotë se Kolegji i Kirurgëve të Kosovës është një organizim shumë i rëndësishëm që mbledh rreth vetës të gjithë kirurgët shqiptarë dhe jo vetëm.

“Është një iniciativë shumë pozitive, shumë emocionuese dhe frymëzuese e profesor Rifat Latifit, një kirurgu shqiptaro-amerikan dhe komitetit organizuese. Iniciativat nuk lindin as nga hiçi dhe kërkojnë kohë që të piqen. E tillë është iniciativa e profesor Latifit për të organizuar kolegjin e kirurgëve të Kosovë”, thotë ai.

Ai kujton kohën kur pas luftës kishte vizituar Kosovën, me qëllim të shkëmbimit të përvojave me kirurgë kosovarë.

“Mbaj mend që me prezencën time në Prishtinë, në Prizren me disa ndërhyrje të para laporaskopike atje, kam pasur privilegjin dhe kënaqësinë të shkëmbej dhe të punoj me shumë kirurgë kosovarë që sot janë udhëheqës repartesh në Kosovë, të cilët e kanë quar kirurgjinë kosovare në përgjithësi. Ky nivel i lartë i zhvillimit dhe progresit të kirurgjisë në Kosovë ka bërë të mundur që iniciativë e tillë si kjo e profesor Rifat Latifit, të gjejë një tokë pjellore të themi për t’u lindur dhe forcuar dhe të jeni të sigurt që nuk do të jetë një organizim që do të ketë ndalje, por vetëm sukses dhe përparim”, shton ai.

Pas dy dekadave, profesor Arben Beqiri thotë se është duke mësuar shumë prej kolegëve në Kosovë, meqë sipas tij janë bërë hapa gjigand.

Ai para pjesëmarrësve ka ligjëruar sot për trajtimin e kancerit të zorrës së trashë, ku për teknika të tilla thotë se edhe mjekët në Kosovë janë duke e praktikuar.

Kongresi i Parë Klinik, i cili po mbahet në Prishtinë ka filluar dje dhe do të përfundojë nesër. Ky kongres është organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës dhe Odës së Mjekëve. /TV Malisheva

Share.