Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Arben Vishaj ka dhënë detaje për të infektuarin me variantin Omicron, për të cilin tha se ka rezultuar pozitiv tri ditë pas ardhjes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), derisa ka bërë të ditur se i njëjti ka qenë i vaksinuar me dy dozat anti-COVID.
Vishaj në një prononcim për media ka thënë se aktualisht nuk ka pacientë të shtruar me Omicron, por që janë duke u trajtuar katër pacientë me COVID-19. Ndërkohë që ka apeluar të gjithë qytetarët që kanë simptoma të gripit të lajmërohen tek mjeku familjar.
Vishaj: Aktualisht nuk kemi pacientë të hospitalizuar me Omciron
“Më datën 20 të këtij muaji janë diagnostikuar nëntë pacientë me Omicron. Në Klinikën Infektive ka qenë një pacient, i cili ka kërkuar trajtim dhe kolegët nga ambulanca e pranimit e kanë marrë mostrën dhe gjendja e tij ka qenë stabile dhe për këtë arsye pacienti është lëshuar në shtëpi. Ne aktualisht nuk kemi pacientë të hospitalizuar me… variantin Omicron. Dhe, jemi duke i trajtuar katër pacientë, të cilët janë pozitiv me COVID-19”, tha ai derisa shtoi se gjendja e tyre është stabile.
Infektologu Arben Vishaj ka treguar se pacienti ka manifestuar një formë të lehtë të COVID-19, derisa ka shtuar se i njëjti ka marrë dy dozat e vaksinës anti-COVID.
Vishaj: Pacienti ka manifestuar një formë të lehtë të COVID-19
“Aspektet klinike kanë qenë të një aspekti me një formë të lehtë të COVID-19. Ky pacient, tri ditë më përpara ka ardhur nga ShBA, ku edhe punon. Gjendja e tij e përgjithshme ka qenë një simptomatologji e rrugëve të prekjes të frymëmarrjes. Është marrë testi për COVID, të cilin e marrim në mënyrë rutinore, ka rezultuar pas testimit nga Instituti Kombëtar se është pozitiv me Omicron. Përndryshe, sot kemi komunikuar me të, gjendja e tij është stabile… Ka qenë i vaksinuar në ShBA, me dy doza Pfizer. Por, ka manifestuar një formë klinike të lehtë”, tha ai.
Ai ka treguar për simptomat që kanë pasur pacientët e infektuar me Omicron, për të cilat ka thënë se janë pothuajse të njëjta me ato të gripit sezonal.
Vishaj: Këto janë simptomat e zakonshme të Omicron
“Simptomatologjia qoftë e Omicron-it, qoftë e varianteve të tjera është e zakonshme, që fillon me lodhje, me plogështi, me rrjedhje hundësh, me rraskapitje, me vështirësi në frymëmarrje. Pra, është e vështirë që të caktohet se cili tip është. Por, sido që të jetë, çdo qytetarë që ka simptomatologji gripi të lajmërohet te mjeku familjar fillimisht, dhe varësisht nga nevoja Klinika Infektive është e gatshme që të ofrojë shërbime cilësore me qëllim të trajtimit të këtyre pacientëve”
Vishaj ka pohuar se në këtë fazë kanë pasur shumë qytetarë të infektuar nga gripi sezonal, porse ka shtuar se për fat të mirë pacientët nuk kanë pasur nevojë për hospitalizim.
Ndërkohë që ka thënë se si klinikë janë të gatshëm që të ofrojnë shërbime shëndetësore, pa marrë parasysh variantin që vjen. Ai ka thënë se në Klinikën Infektive punëtorët shëndetësorë i janë përgjigjur pozitivisht vaksinimit. /TV Malisheva