Ja se çfarë duhet të dini.
Vitamina C është një lëndë ushqyese shumë e rëndësishme për organizmin. Marrja e dozave të mjaftueshme e kësaj vitamine është veçanërisht e rëndësishme për mirëmbajtjen e një sistemi imunitar të shëndetshëm. Vitamina C luan një rol të rëndësishëm në shërimin e plagëve, forcimin e kockave, rritjen e funksionimit të trurit dhe përthithjen e hekurit.
Vitaminat që treten në ujë nuk depozitohen në trup, ndërsa ato që treten në yndyrë, po. Vitamina C futet në kategorinë e parë, që do të thotë se ajo transportohet në inde nëpërmjet lëngjeve të trupit dhe çdo tepricë del jashtë nëpërmjet urinës. Duke qenë se trupi i njeriut nuk e prodhon dhe as nuk e ruan këtë vitaminë, ai ka nevojë për furnizim të vazhdueshëm. Kjo në disa raste mund të nxisë një përdorim të tepruar të kësaj vitamine, duke shkaktuar kështu probleme me tretjen dhe gurë në veshka.
Efektet anësore
Efekti më i madh anësor i konsumit të lartë të vitaminë C ka të bëjë me tretjen. Në këtë rast, mund të vuani nga diarrea, urthi, parehati në stomak, të përziera ose të vjella. Vitamina C rrit ngarkesën e hekurit në trup. Përthithja e hekurit rritet me 67% në rastin e marrjes së 100 mg vitaminë C gjatë një vakti. Por nëse e teproni, ajo mund të rrisë ndjeshëm depozitat e hekurit në trup duke dëmtuar seriozisht zemrën, mëlçinë, pankreasin, tiroiden dhe sistemin qendror nervor.
Tepricat e vitaminës C dalin nga trupi në formën e oksalatit që largohet nëpërmjet urinës. Në rrethana të caktuara, oksalatet lidhen me mineralet dhe formojnë kristale që më vonë nxisin krijimin e gurëve në veshka. Konsumimi i tepruar i vitaminës C ka potencialin të rrisë sasinë e oksalateve në urinë dhe rrjedhimisht formimin e gurëve në veshka.
Ushqimet më të pasura me Vitaminë C
Për shumë njerëz, një portokall, një racion me luleshtrydhe, speca të kuq apo brokoli, ofron një dozë të mjaftueshme të vitaminës C. Doza e rekomanduar e vitaminës C për çdo të rritur varion nga 65 deri në 90 miligramë në ditë. Vitamina C duhet marrë çdo ditë.
1 gotë me lëng portokalli – 93 mg vitaminë C
1 gotë me lëng qitro – 70 mg vitaminë C
1 kivi – 64 mg vitaminë C
Gjysëm racioni spec i kuq – 95 mg vitaminë C
Gjysëm racioni me brokoli – 51 mg vitaminë C
Gjysëm racioni me luleshtrydhe – 49 mg vitaminë C
Kur organizmi nuk merr sasinë e mjaftueshme të kësaj vitamine, njeriu përballet me manifestimin e një sërë simptomash mendore dhe fizike. Për më tepër, organizmi ynë bëhet më i ndjeshëm ndaj sëmundjeve kronike dhe akute.
Ju mund të merrni edhe suplemente shtese, por këto të fundit nuk duhen përdorur kurrsesi si zëvendësues të burimeve ushqimore të saj. Ajo që është e rëndësishme, është se një regjim i shëndetshëm ushqimor ofron sasi të përshtatshme të vitaminës C. /TV Malisheva