Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka deklaruar se qytetarët e Kosovës duhet të kenë kujdes dhe t’i përmbahen udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik, pasi nëse do të ketë rritje të menjëhershme të të infektuarve, kolapsimin e sistemit shëndetësor do ta shohim brenda ditësh, jo brenda javësh e muajsh.

Vitia duke përmendur hapjen e disa bizneseve pas 4 majit, tha se heqja e masave do të varet nga situata epidemiologjike.

Sipas tij, me hapjen e kafiterive duhet të mbahet distanca, ndërsa, nuk ka përmendur se kur do të hapen klubet e natës

Ai ka thënë se Kosova është më mirë se sa vendet e rajonit sa i përket gjendjes me pandeminë por fatmirësisht edhe në rajon situata ka nisur të përmirësohet dhe në koordinim me këto vende do të diskutohet se kur do të hapen kufijtë me shtetet.

Vitia tha se kanë mësuar nga vonesa e disa vendeve dhe kjo i ka shtyrë që të marrin disa masa më radikale por që kjo ka pas sukses.

Sipas tij, deri tani më shumë ka të panjohura lidhur me virusin Covid-19, se sa që ka të njohura dhe beson se do të kalojë kohë derisa të marrin përgjigje.

“Ne na mbetet të shpresojmë që do të gjendet vaksina kundër këtij virusi dhe të kemi kujdes sepse nëse do të ketë numër të madh, kolapsimin e sistemit shëndetësor do ta shohim brenda ditësh, jo brenda javësh apo muajsh”, tha ai.

Ai nw Klan Kosova, duke folur për rastin e Suedisë, tha se Kosova nuk guxonte të bëjë një eksperiment të tillë, pasi do ta rrezikonte sistemin shëndetësor.

Dentistët dhe fizoterapeutët do të kenë mundësi të punojnë në fazën e dytë, pas 18 majit. Kurse, aktivitet sportive do të hapen në fazën e tretë

Share.