Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia është përplasur me deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiu për Komisionin ekzekutiv për shëndetësi, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovë. Megjithatë, deputeti Haxhiu e mirëpriti referimin e ministrit Vitia karshi tij si profesor-doktor.
Derisa deputeti Haxhiu ka thënë se ky komision është formuar vetëm për të detyruar ish-ministrin Rifat Latifi të jep dorëheqje, Vitia e ka mohuar këtë dhe ka thënë se komisioni është ende aktiv dhe po kryen përgjegjësitë e veta.
Vitia: Komisioni ekzekutiv është ende aktiv dhe po kryen detyra te veta
“Ky komision është akoma aktiv dhe ka kryer detyrat e veta konfrom përgjegjësive që ka pasur. Në pikën e parë është bërë shtesa për profesionistët shëndetësor, ata që punojnë vetëm në sektorin publik. Është bërë rritja e kapaciteteve monitoruese përmes rritjes së numrit të inspektorëve që tash do të del konkursi për 42 të tillë. Po ashtu tema të tjera që kanë ardhur si rekomandime dhe që do të adresohen në ligje dhe rregullore, si ligji për shëndetësinë, sigurimet shëndetësore që këtë vit do të finalizohen”, tha ai.
Por deputeti opozitar, Bekim Haxhiu, tha se tani po shihet se nuk ka asgjë prej këtij komisioni.
Haxhiu: Ky komision e ka kryer misionin e vet, detyrimin e ish ministrit Rifat Latifi për të dhënë dorëheqje
“Mbledhjet e këtij komisioni në fillim kanë qenë publike dhe janë raportuar çdo herë por prej kur ka jep dorëheqje Rifat Latifi, ma nuk ka asgjë sa i përket këtij komisioni. Pra e ka përmbush misionin e tij për me detyruar Lifat Latifin me dhënë dorëheqje”, tha ai.
Në anën tjetër, ministri Vitia foli edhe për kthimin e kuadrove mjekësor nga diaspora shqiptare, ku tha se deri tani janë paraqitur mbi 20 profesionistë shëndetësorë.
Në diskutim e sipër, ministri Vitia iu referua deputetit Haxhiu si profesor-doktor të fizioterapisë
Vitia: Mbi 20 profesionistë shëndetësor nga diaspora janë paraqitur për të punuar në Kosovë
“Për mbi 20 tani janë paraqitur dhe jemi duke akomoduar që të vijnë këtu bash për atë që thatë ju. T’iu rikujtojë deputetët të nderuar dhe ju profesor doktor Haxhiu që një nga arsyet që mjekët ikin nuk janë vetëm për rroga. Një nga arsyet është pamundësia për zhvillimin e tyre profesional”, tha ai.
Këtë e mirëpriti deputeti Haxhiu, i cili i kërkoi, siç e quajti reflektimin e tij edhe të pasohet edhe nga kryeministri Kurti që t’i adresohet si profesor-doktor.
Haxhiu: Ky reflektim i juaji të pason edhe nga kryeministri Kurti që të adresohet si profesor-doktor
“Faleminderit ministër për respektin që e po e tregoni edhe ndaj meje. Besoj se ky reflektim i juaj të pason edhe tek kryeministri të më adresohet njëjtë sikur ju dhe jo me terma pezhorativ që ka folur këtu në Kuvend për profesionin e fizioterapisë”, theksoi ai.
/TV Malisheva