Vizita e “paparalajmëruar” e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, po bëhet në funksion të diskutimit për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Madje, diplomati evropian do të takohet edhe me liderët e partive opozitare. Është e qartë se në këto takime ai do të kërkojë mbështetjen e opozitës për zbatimin e marrëveshjes bazë të Brukselit dhe atë të sekuncimit të Ohrit të dakorduar në fillim të këtij viti.
Kërkesat ndërkombëtare për rikthimin e Kosovës dhe Serbisë në procesin e dialogut që zhvillohet nën menaxhimin BE-së në Bruksel dhe zbatimin e marrëveshjeve që janë pajtuar të dy vendet, janë bërë më intensive veçanërisht pas sulmit të grupeve të armatosura terroriste dhe paramilitare nga Serbia më 24 shtator, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Pas këtij sulmi përfaqësuesit kryesorë të institucioneve të Kosovës, duke filluar nga Presidentja Vjosa Omani e Kryeministri Albin Kurti kishin deklaruar se ky dialog nuk mund të vazhdojë më tutje pa ndëshkimin dhe sanksionimin ndërkombëtar të Serbisë. Kurse, Kuvendi i Kosovës me 28 shtator e pati miratuar një rezolutë që bënte thirrje për një hetim ndërkombëtar të shtetit serb lidhur me përfshirjen e saj në këtë sulm.
Mirëpo, për dallim nga këto qëndrime, diplomatët ndërkombëtarë theksonin vazhdimisht se ky sulm ka dëshmuar se ri vazhdimi i dialogut është bërë më i rëndësishëm se kurrë më parë .
Në mes të këtyre “polarizimeve” Kryeministri i Kosovës u pajtua për themelimin e Asociacionit pas takimit që kishte pasur me liderët kryesorë të Bashkimit Evropian, presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, kryeministren italiane, Giorgia Meloni në margjina të Samitit të BE-së. Ndërkohë, këta të fundit, me anë të një komunikate për shtyp deklaruan se Kosova ka për obligim t’i zbatojë marrëveshjet e deritanishme, me theks të veçantë atë për Bashkësinë, kurse Serbia të pajtohet me njohjen de facto të Kosovës.
Mirëpo, javën e kaluar gjatë raportimit në Kuvendin e Kosovës, në një seancë të thirrur nga opozita, shefi i Qeverisë së Kosovës theksonte se pasi Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po refuzon ta nënshkruajë marrëveshjen edhe ky nuk e ka pranuar gjë të tillë. Se ai është i gatshëm ta zbatojë atë por vetëm pas nënshkrimit edhe nga Serbia. Sepse nuk mund të ketë pranim pa nënshkrim.
Mirëpo, përkundër këtyre ekzibicioneve të të parit të Qeverisë së Kosovës, si i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, ashtu edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Jeffrey Hovenier, kanë deklaruar se “nënshkrimi ose jo i marrëveshjeve nuk ndikon tek detyrimi për zbatimin e tyre”.
Kështu dilema e vetme është se a do të pajtohet Qeveria e Kosovës për zbatimin këtyre detyrimeve edhe pa nënshkrim nga Serbia? Ashtu si u dakordua edhe për themelimin e Asociacionit para përfundimit të hetimeve ndërkombëtare, siç e obligonte rezoluta e Kuvendit, si dhe pa ndëshkimin dhe sanksionimin ndërkombëtar të këtij shteti.
/TV Malisheva