Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas shifrave të frikshme të publikuara nga IKSHP në dy ditët e fundit për rastet e personave të cilët kanë vdekur nga COVID-19.

Osmani ka thënë se dhimbja e 227 familjeve që deri më sot kanë humbur më të dashurit e tyre nga virusi, duhet të shërbejë si alarm për institucionet të cilat kanë për detyrë të mbrojnë jetën e qytetarëve.

Gjithashtu ajo ka thënë se atyre që u shkon mendja të injorojnë këshillat e mjekëve, duhet të kujtojnë dhimbjen e familjeve.“31 familje po i varrosin më të dashurit e tyre, që humbën jetën dje (16) e sot (15) nga virusi Covid19.

Ditët e festave janë ditë kur zotërojnë gëzimi e hareja, por sot, disa familje po i jepin lamtumirën e fundit atyre që i deshën më së shumti.

Lutem që Zoti t’ua lehtësojë dhimbjen në këto kohë të rënda e për humbjen e madhe jo vetëm për familjet por për gjithë shoqërinë tonë”, ka shkruar Osmani.

“Prandaj nëse u shkon mendja që për këtë Bajram t’i injoroni këshillat e mjekëve për festë nga distanca, ju lus mendoni për 227 familjet që sot kanë dhimbje për fëmijët, vëllezërit, motrat apo prindërit e tyre, të cilët i humbën për shkak të pandemisë.

Dhimbja e tyre le të shërbejë si alarm për të gjithë për rrezikun e këtij virusi e në veçanti për institucionet që e kanë për obligim të mbrojnë jetën e qytetarëve”, shton ajo.

“Ngushëllime edhe njeherë të gjitha familjeve që humbën më të dashurit”, ka përfunduar kryekuvendarja./Tv Malisheva

Share.