Qyteti bregdetar i Vlorës, i cilësuar si ‘perla’ e rivierës shqiptare, çeli mbrëmjen e djeshme sezonin e ri turistik.
Këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare performuan për qytetarët vlonjatë deri në mesnatë.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli tha gjatë fjalës së tij se “në këtë sezon të ri turistik jam i bindur se Vlora do të jetë destinacioni i turistëve vendas dhe të huaj. Mirëpresim turistët e Shqipërisë dhe gjithë miqtë, ngado të vijnë, për të shijuar këtë diell të bekuar që të ngroh njësoj, gjithë vitin”.
Kryebashkiaku Leli nënvizoi se “pamjet që ofron qyteti këtë vit të ri turistik dëshmojnë transformimin që është bërë falë investimeve madhore”.
Qyteti bregdetar i Vlorës u vizitua vitin e kaluar nga rreth 40 mijë turistë. Vlora me brigjet e saj, Karaburunin, Sazanin, Llogoranë, kalanë e Kaninës, Lagunën e Nartës, plazhet e shumtë, monumentet, njerëzit, prodhimet e tokës dhe të detit është gjithnjë e më shumë e frekuentuar nga turistët vendas dhe të huaj. /ATSH/
/TV Malisheva