Në ditën e dytë te Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se edhe pas dy dekadave luftë, gratë në Kosovë ende ballafaqohen me padrejtësi barazore, por përkundër këtyre ajo tha se gratë e kanë dëshmuar shumë herë se sa të forta janë.

Gjatë diskutimit në Forum, ajo tha nga të gjitha iniciativat që kanë marrë në ministrinë që ajo drejton lidhen me adresimin e krimeve të luftës të cilat sipas saj 60 për qind janë anëtare në grupet vajza dhe gra.

Haxhiu tha se nëpërmjet rrëfimeve të grave kanë kuptuar luftën.

Haxhiu: Përtej dhimbjes së përjetuar gratë ballafaqohen me vështirësi të padrejta

“Kosova në dekadat e fundit ka kaluar në procese shumë të rëndësishme të cilat kanë qenë vendimtare në funksionimin e saj si shtet të cilat nuk mund të ishin të mundshme pa rezistencën e grave. Edhe në Kosovë dhe në botë gjatë luftës gratë u bënë subjekte të dhunës dhe krimeve të kryera ndaj tyre. Si rezultat përtej dhimbjes së përjetuar gratë ballafaqohen me vështirësi të padrejta. Përkundër vështirësive që kanë kaluar, gratë e Kosovës na kanë dëshmuar sa të forta janë, mes nesh ka të tilla që pavarësisht përjetimeve që kanë pasur gjatë luftës kanë treguar sa e rëndësishme është të shikosh nga e ardhmja. Ne nëpërmjet tyre kemi kuptuar kuptimin që ka pasur lufta në shoqëri dhe pa guximin e rrëfimet e tyre, ne asnjëherë nuk do t’i kishim kuptuar pasojat”, tha ajo.

Haxhiu ka shtuar se viktimat duhet të rehabilitohen dhe institucionet duhet të jenë pranë tyre.

Haxhiu: Viktimat duhet të rehabilitohen

“Në procesin e ballafaqimit më të kaluarën përfaqësimi i gruas është qenësor, gratë janë ato të cilat kanë gjetur mënyra të ndryshme për të vënë në pah pasojat që bartin krimet e luftës në të gjitha nivelet dhe gratë kanë arritur t’i bëjnë gjitha këto. Përmes filmit ë teatrit ato kanë shfaqur dhimbjet që kanë përjetuar gjatë luftës. Të gjitha politikat të cilat adresohen nga kuvendi do të implementohen si të tilla në Ministrinë e Drejtësisë, të gjitha iniciativat që i kemi marrë lidhen me adresimin e krimeve të luftës të cilat 60 për qind janë anëtare në grupet vajza dhe gra. Kosova është në prag të finalizimit për trancizionin e drejtësisë nacionale. Jemi më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës dhe presim që kjo strategji të përmbyllet sa më shpejtë që është e mundshme, pasi viktimat duhet të rehabilitohen dhe institucionet duhet të jenë pranë tyre. Së fundi në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës është miratuar instituti ku do të dokumentohen krimet e luftës, edhe këtu kemi qenë vone pasi lufta ka dy dekada”, shtoi Haxhiu.

Në Kosovë konsiderohet se 20 mijë persona kanë qenë të dhunuara gjatë luftës, prej tyre shumica kanë qenë gra dhe vajza.

Specialistja e politikave në sundimin e ligjit dhe drejtësinë tradicionale, Emily Kenney prej UN Women, tha se gratë duhet të jenë prezente fizikisht aty ku merren vendimet.

Kenney: gratë mund të ndikojnë për të ndryshuar rezultatet e proceseve të drejtësisë

“Ka role të ndryshme të rëndësishme që gratë mund të luajnë në fushën e drejtësisë por gratë nuk e kanë këtë. Janë tri shtresa të kësaj pjesëmarrje, të jenë gratë fizikisht në dhomat ku merren vendimet, gratë mundën të krijojnë koalicione dhe jo vetëm me qenë si shërbyese të kafeve dhe qajave, po ashtu gratë mund të ndikojnë për të ndryshuar rezultatet e proceseve të drejtësisë”, tha ajo.

Deputetja ukrainase, Yevheniia Kravchuk tha se gratë duhet të jenë edhe në pozita vendimmarrëse dhe jo vetëm në tryeza diskutimi.

“Pajtohem se gratë nuk duhet me qenë vetëm në tryeza për të diskutuar por edhe në pozita vendimmarrëse”, tha ajo.

Derisa shtoi se në qeverinë në Ukrainë janë tri zëvendësministre, të cilat janë gra dhe mbulojnë fushat më të rëndësishme.

Në këtë panel diskutimi e pranishme është edhe ambasadorja për të drejtat e njeriut nga Franca, Delphine Borione.

Ajo tha se të gjithë duhet të angazhohen për drejtësi tranzicionale.

Borione: Nuk mundet të ketë paqe afatgjate pa drejtësi

“Nuk mundet të ketë paqe afatgjate pa drejtësi dhe për këtë e gjithë popullata duhet të merr pjesë në këtë drejtësi tranzicionale. Për ta siguruar këtë është me rëndësi të krijohet një ambient i sigurtë për gratë që avokojnë drejtësi gjinore, që ato të mund të kryejnë punë dhe në shumë vende”, tha ajo.

Prokurorja në Prokurorinë Speciale të Kosovë, Drita Hajdari tha se krimet e ndodhura gjatë luftës janë ende barrë që e ngarkojnë shoqërinë në vend. Hajdari ka fajësuar UNMIK-un dhe EULEX-in, të cilët kanë bërë shumë pak në këtë drejtim në kohën kur e kanë pasur për detyrë të trajtojnë këto raste.

Hajdari: Ende nuk ekzistojnë statistikat reale për numrin e personave të dhunuar në Kosovë

“Krimet e luftës në mesin e të cilave dhuna seksualë gjatë luftës është barrë që e ngarkon shoqërinë tonë. Është çështje që pas luftës është folur me një dozë turpi e dëshpërimi se çfarë ka ndodh në Kosovë, mirëpo falë shoqërisë civile dhe institucioneve te cilat filluan t’i trajtojnë këto raste dhuna seksuale gjatë luftës doli nga errësira. Mirëpo ende nuk ekzistojnë statistikat reale për numrin e personave të dhunuar në Kosovë dhe akoma para prokurorisë speciale është sfidë e madhe për zbulimin dhe regjistrimin, hetimin e këtyre krimeve. Ajo që e ngadalësoi punën tonë ishte fakti se pas luftës neve prokuroreve nuk na është lejuar t’i ndjekim këto vepra penale, pasi kjo punë i është besuar fillimisht UNMIK-ut pastaj EULEX-it, të cilët kanë bërë shumë pak fatkeqësisht. Dhe për kundër mundësive që kishin misionet për sundimin e ligjit në këtë fushë ka mbetur një numër i madh i lëndëve, pas misionit të EULEX-it që janë 900 lënde dhe 200 dosje për të zhdukur.

Ajo tha se ende nuk janë të kënaqur me numrin e viktimave të paraqitura, pavarësisht se pas marrjes së kompetencave nga prokuroria vendore që ishte fundi i vitit 2018, është vërejtur një paraqitje e shtuar nga ana e viktimave, në krahasim me 20 vitet e mëparshme.

Më tej, Hajdari tha se identifikimi i fajtorëve ka qenë po ashtu i vështirë.

Hajdari: Në të ardhmen të kemi më shumë raportime për dhunë seksuale, këto janë krime që nuk guxojnë të heshtën

“Pres që në të ardhmen të kemi më shumë raportime për dhunë seksuale sepse këto janë krime që nuk guxojnë të heshtën, duhet të raportohen pa ndonjë shpresë se për secilin krim qe do të zbulohet edhe kryerësi. Identifikimi i kryerësve është një sfidë dhe problem i madh sepse kanë ardhur do ushtarë, paramilitarë jashtë Kosovës të panjohur për viktimën. Për ata vendor qe i kanë kryer këto krime kemi arritur t’i identifikojmë disa prej tyre, njëri prej tyre është ekstradu nga Mali Zi, po ashtu kemi filluar me aplikimin e ligjit në mungesë, ky ligj ka përcaktuar disa kritere që marrin pak kohë”, tha ajo.

Hajdari në fund ka ftuar të gjitha viktimat seksuale për t’i raportuar rastet.

Drejtoresha e QKMRT-së, Feride Rushiti tha se fatkeqësisht edhe në rrethanat pas luftës vuajtjet e gravë që kanë përjetuar dhunë nuk ndihen shumë.

Derisa shtoi se në Kosovën e pasluftës kanë qenë OJQ-të që kanë mbajtur gjallë këtë grup.

Ajo tha se gratë përtej se duhet ta kenë mbështetjen nga institucionet, ato duhet të marrin masa edhe nga vendet që kanë ushtruar këtë krim dhe kërkim falje.

Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë po vazhdon në Prishtinë me panele të tjera të diskutimit./TV Malisheva

Share.