Një grua 83-vjeçare dyshohet të jetë vrarë sot nga djali i saj. Vepra penale, e regjistruar si “vrasje e rendë”, ka ndodhur në rrugën “Ejup Statovci” në Ferizaj ku një 62-vjeçar me mjet të mprehtë dyshohet të ketë vrarë nënën.
I njëjti thuhet të ketë pasur probleme me shëndetin mendor dhe del të jetë emër i njohur për policinë nga veprimet e tij të mëhershme.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë ndërkohë pritet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.
Agim Gashi, zëdhënës i Policisë së Kosovës në Ferizaj, ka bërë të ditur se informatën për këtë vrasje e kanë pranuar mëngjesin e së hënës në orën 8:20 minuta.
Gashi: Policia ka arrestuar B.Ç. i dyshuar për vrasjen e nënës së tij
“Policia është përgjigje menjëherë në vendin e ngjarjes së bashku me njësinë e emergjencës nga spitali i Ferizajt, ku gjatë hetimeve preliminare është konstatuar se bëhet fjalë për vrasje. Policia i ka ndërmarrë të gjitha veprimet lidhur me këtë rast dhe pas një kohe të shkurtë ka arrestuar një person të dyshuar i cili dyshohet për këtë vepër. Bëhet fjalë për të dyshuar me iniciale B.Ç., 62-vjeçar ndërsa viktima është nëna e tij M.Ç., 83-vjeçare”, tha ai.
Ai ka thënë se janë gjetur disa prova që lidhen me rastin.
Gashi: I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë
“Personi është intervistuar, janë gjetur disa prova të cilat lidhen me këtë rast dhe me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje policore dërgohet në mbajtje për 48 orë. Gjithashtu gjatë hetimit të rastit, edhe nga dëshmitarët si dhe psikologu i cili ka qenë personi pacient i psikologut, kemi marrë informata se i njëjti vuan edhe nga disa sëmundje mentale”, tha ai.
KosovaPress mëson se vrasja është kryer me mjet te mprehtë dhe se mjeku ka konstatuar që 83-vjeçarja ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Lidhur me këtë rast, Vjosa Baftiu, zyrtare për media në Prokurorinë e Ferizajt, ka thënë se gjatë ditës pritet të bëhet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.
Baftiu: I dyshuari për vrasje ka qenë pacient i Qendrës së Shëndetit Mendor në Ferizaj
“Motivet lidhur me rastin ende nuk dihen mirëpo dyshohet se i njëjti ka pasur çrregullime mendore… i dyshuari ka qenë edhe pacient i Qendrës së Shëndetit Mendor në Ferizaj… Prokurori e ka ndaluar të dyshuarin në kohëzgjatje prej 48 orësh ndërsa sot gjatë ditës pritet të bëhet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit”, tha ajo.
62-vjeçari që dyshohet të ketë vrarë nënën e tij del të jetë emër i njohur për Policinë e Kosovës edhe nga veprimet e mëhershme të tij.
Gashi: Policia ka gjetur edhe disa dosje të të dyshuarit
“Gjatë hulumtimit në dosjet e tij janë gjetur edhe disa raste të cilat kanë qenë personi i dyshuar në fjalë, për sjellje arrogante dhe veprimet te tjera” ka treguar Gashi.
Shtëpia ku ka ndodhur ngjarja e rëndë dhe ku ka jetuar 83-vjeçarja me djalin sot ishte e mbyllur dhe banorët përreth i thanë KosovaPress-it se nuk ka anëtarë të tjerë të familjes që jetojnë aty./Tv Malisheva