Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të pandehurit Trimor Lalinovci.

“Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj, i datës 09.11.2020, është ndryshuar vetëm sa i përket vendimit mbi dënim. Të akuzuarit për shkak të veprës penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 dhe 1.6 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënimin më burgim të përjetshëm i është zëvendësuar më atë prej 30 vjet burgim”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Gjykata e Apelit shqyrtoi rrethanat lehtësuese dhe renduese të cilat i ka pasur parasysh gjykata e shkallës së parë, dhe vlerësoi se në rastin konkret, dënimi më burgim të përjetshëm, është dënim i ashpër, duke pasur parasysh rrethanat posaçërisht lehtësuese, si pranimi i fajësisë, mosha e re e të akuzuarit si dhe keqardhja e shprehur nga ana e tij, e të cilat rrethana parashihen në nenin 70 paragrafi 3, pika 3.6, 3.10, dhe 3.11 të KPRK-së.

Nisur nga këto Gjykata vlerësoi se edhe më këtë sanksion penal, mund të arrihet qëllimi i dënimit, i përcaktuar me ligj.

Trimor Lalinovci akuzohet për vrasjen e Shkodran Bytyçit në dhjetor të vitit 2019.

Bytyqi ishte vrarë më 8 dhjetor 2019 në fshatin Surqinë, e më pas i dyshuari kishte marrë trupin e viktimës dhe e kishte dërguar në fshatin Kishnapole të Gjilanit.

Trimor Lalinovci dyshohet se ishte kthyer përsëri në këtë fshat dhe ia kishte vënë zjarrin kufomës së Bytyqit./TV Malisheva

Share.