Katër persona janë ndalur për 48 orë, meqë dyshohen që janë përfshirë në incidentin e mbrëmshëm me armë zjarri në Gjilan, ku një person mbeti i vdekur dhe një tjetër është plagosur.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka treguar se V.H., B.K., A.S. dhe E.N., janë të dyshuarit që janë ndaluar.

Po ashtu dyshohet se edhe një person ka qenë i përfshirë por që ai gjendet në arrati.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar katër (4) persona në kohëzgjatje prej 48 orësh, tani të dyshuarit V.H., B.K., A.S. dhe E.N., pasi dyshohen se kanë qenë të përfshirë në incidentin e mbrëmshëm (08 Nëntor 2021) me armë zjarri në Gjilan, në të cilin tani i ndjeri E.R., si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë. Gjithashtu, nga kjo ngjarje është plagosur edhe i dyshuari V.H., i cili është duke u trajtuar në QKUK, nën mbikëqyrjen dhe sigurimin e njësiteve policore. Po ashtu, në këtë rast, dyshohet se ka qenë i involvuar edhe një (1) person tjetër, i cili për momentin gjendet në arrati”, thuhet në komunikatën e prokurorisë Themelore të Gjilanit.

Ndërsa trupi i pa jetë i E.R është dërguar në obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

“Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pa jetë i të ndjerit E.R. është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë, ndërsa, ndaj të dyshuarve të lartshënuar brenda afatit ligjor do të kërkohet masa për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale, nga Gjykata Themelore në Gjilan”, thuhet në komunikatë./TV Malisheva

Share.