Kur bëhet fjalë për rezervat e thëngjillit nga Kosova, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia dëshiron të bëjë marrëveshje me Prishtinën për blerjen e një sasie të konsiderueshme të linjitit dhe se në këmbim mund t’i furnizojë me energji elektrike, kanë raportuar mediet serbe, përcjellë TV Malisheva.

Ai shtoi se beson se së shpejti do të negociojë me përfaqësuesit e Prishtinës për këtë temë.

“Nëse ata nuk e duan këtë, ne mund të paguajmë për thëngjillin, por sigurisht që jemi të gatshëm të flasim për këtë,” tha presidenti gjatë një konference për shtyp në Ohër.

Ai ka shtuar se nuk mund të merret me hyrjen e Kosovës në “Ballkanin e Hapur”, që është një histori ekonomike në të cilën duhet të zgjidhet problemi ekonomik.

“Linjiti dhe rryma nuk kanë shumë lidhje me këtë, po nëse dëshirojnë të na e shesin, do të blenim në Banoviqi 100 mijë tonë. Për ne kjo do të thotë të përmbushim nevojat për pesë ditë gjatë dimrit. Ne blejmë nga bullgarët, rumunët, grekët. Çdo gjë që ne nuk e kemi, e blejmë”, tha Vuçiq dhe shtoi se beson se së shpejti do të ulet dhe do të bisedojë me autoritetet e Prishtinës.

Ai thekson se Serbia u ofron siguri të gjithëve kur bëhet fjalë për ushqimin që askujt nuk i mjafton.

“Ne jemi gati të ofrojmë ushqim për të gjithë dhe askush nuk do të ketë aq gaz sa kemi ne. Por sanksionet do të na vrasin, ne do të kemi ende probleme,” shtoi presidenti.
/TV Malisheva

Share.