Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se situata në Serbi në lidhje me krizën në Ukrainë nuk është aspak naive. I pyetur nëse Serbia do t’i bartë pasojat e mos vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, si dhe për të komentuar postimin e Carl Bildt në Twitter se Serbia mund t’i thotë lamtumirë BE-së, presidenti i Serbisë theksoi se bëhet fjalë për të mbijetuar më të fortët mbi të dobëtit.

“Nuk mbaj mend një situatë kaq të vështirë për mua. Gjatë tri ditëve të fundit jam plakur sa 10 vite”, tha Vuçiq. Duke folur për kërkesën e Kosovës që të pranohet urgjentisht në NATO, Vuçiq është deklaruar: “E kam dëgjuar për herë të parë para nja dy muajsh, nuk është ide e shqiptarëve nga Kosova, është ide e lobistëve të tyre në BE dhe SHBA”, tha presidenti i Serbisë.

“Pse kanë rëndësi për ta? Njëra, duan të detyrojnë katër shtete të BE-së, që janë anëtare të NATO-s, të njohin pavarësinë e Kosovës. Nuk mund të bëhesh anëtar i NATO-s nëse nuk je shtet. Se është një rrugë, por edhe një justifikim që disa vende ta pranojnë këtë dhe të thonë se duhet sepse nuk kemi rrugëdalje tjetër”, shpjegoi ai.

Vuçiq ka përmendur si arsye tjetër përpjekjen për ta vënë vendin tonë para aktit përfundimtar, sepse, siç thotë ai, dikush dëshiron të na thotë “vetëm ju keni mbetur ta njihni Kosovën dhe nuk keni zgjidhje”.

“Nuk mund të vlerësoj për momentin se sa real është rreziku, por jo një situatë naive për ne. Por mesazhi im për qytetarët është se sado që ta njohin Kosovën dhe çfarëdo që të bëjnë, ndryshe nga ata, Serbia do t’i përmbahet të drejtës ndërkombëtare, Kartës së OKB-së “Respektimi i integritetit territorial të vendeve të njohura ndërkombëtarisht, dhe kjo është Serbia dhe jo një lloj Kosove. Që do të thotë se pavarësisht nga të gjitha presionet dhe shantazhet, pavarësisht se çfarë mendon dikush, Serbia do ta ruajë integritetin e saj territorial”, tha ai.

/TV Malisheva

Share.