Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq këtë të hëne ka thënë se Perëndimi po i kërkon Serbisë të dorëzojë Kosovën në këmbim të një dhurate të vogël, raporton TV Malisheva.
“Nëse refuzoni, atëherë jeni në telashe”, e artikuloi kërkesën perëndimore ndaj Serbisë rreth Kosovës presidenti serb, i cili shtoi se vendet perëndimore “nuk po më kërcënojnë si Aleksandar Vuçiq por tërë shtetin dhe mbijetesën e tij”.
“Është hera e parë që po e them publikisht” , vazhdoi ai, duke elaboruar, siç thotë ai, presionin e madh ndaj Serbisë.
“Asgjë nuk u mjafton. Thonë problemi është refugjatët. S’ka problem, do t’ua heqim regjimin pa viza. Do t’i zgjidhim këta probleme, por s’do të mjaftojë, s’do të jetë as lajm. Le të vendosim sanksione sepse u pengon se ka një vend tjetër që qëndron dhe dëshiron të ketë mendim të pavarur, dhe nuk ka kërcënuar askënd në tokën e tij. Ne nuk e kemi sulmuar askënd, por u ndëshkuam ashpër, më keq se Iraku dhe Afganistan”, vazhdoi të thotë ai.
Vuçiq foli edhe për propozimin franko-gjerman,për të cilin thotë se Serbisë i ofrohet garancia për anëtarësim të përshpejtuar në Bashkimin Evropian në këmbim të lejimit të Kosovës të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare e në veçanti në Kombe të Bashkuara. Ai ka thënë se Serbia nuk e pranon këtë propozim.
Këto deklarata presidenti serb i bërë në përvjetorin e 20’të të BIA-s serbe.