Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për portalin çek, “Parlamentní listy” ka thënë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani s’është e interesuar për kompromis.
Vuçiq tha se Osmani në Samitin e Brdo-Brijunit të mbajtur në Slloveni ka folur për gjithçka tjetër, përpos kompromisit.
“Është e rëndësishme për ne që të zhvillojmë bisedime dhe ne jemi të interesuar në gjetjen e një zgjidhje kompromisi. Tani isha në Brdo afër Kranjit në Slloveni, në samitin e vendeve të Evropës Juglindore, ku takova Vjosa Osmanin, e cila shprehu interes për gjithçka, përveç për një zgjidhje kompromisi për Kosovën. Nëse qëllimi i tyre është të presin që dikush të bëjë presion ndaj Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës dhe për të bërë akuza për gjenocid ndaj Serbisë dhe nuk e di se çfarë tjetër, atëherë unë nuk jam një optimist. E gjithë kjo tregon se pala tjetër nuk është e interesuar për dialog. Nëse mund të arrijmë me sukses një zgjidhje kompromisi, unë nuk e di për momentin dhe nuk e shoh si optimiste. Shpresoj që një ditë të kemi sukses”, tha Vuçiq.
Presidenti i Serbisë tha se nuk pret ndryshime në qëndrimin ndaj Kosovës dhe Serbisë pas ardhjes së administratës së Presidentit amerikan Joe Biden.
“Amerika e ka njohur Kosovën dhe nuk dëshiron të heqë dorë në atë drejtim. Kuptohet që Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bëjnë presion ndaj Serbisë, ose unë nuk duhet të flas për presion por për kërkesën për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Por kjo është një kategori në politikën e jashtme amerikane që nuk po ndryshon dhe nuk pres ndonjë ndryshim ndaj nesh”, tha Vuçiq./TV Malisheva