Ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, ka deklaruar sot se anëtarësimi i Kosovës në paktin e NATO-s do të ishte “kërcënim i drejtpërdrejtë për Serbinë me një konflikt të armatosur”, duke deklaruar se do të shkelte Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe Kartën e asaj Aleance, raportojnë mediet e Serbisë, transmeton TV Malisheva.
“Ju dëshironi ta bëni Kosovën anëtare të NATO-s pa përmbushur asnjë standard dhe udhërrëfyesi për NATO-n është më i komplikuar se sa për Bashkimin Evropian. Nëse i kaloni të gjitha këto, ju vetëm po i përgatisni ata që t’u jepni mundësinë të sulmojnë serbët, të provokojnë shtetin e Serbisë deri në atë pikë sa nuk mund të mos përgjigjet”, tha Vulin për TV Pink.
Siç ka thënë ai, “atëherë do të thoshin se sipas nenit 5 të Kartës së NATO-s, anëtari i saj duhet të mbrohet, pra po bombardoni Serbinë”, duke shtuar se nuk do të kishte arsye tjetër për ta pranuar Kosovën në NATO.