Grupet punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në takimin e katërt me radhë janë pajtuar në masë të madhe për çështje të sigurisë dhe sundimit të ligjit.

Pas më shumë se një orë diskutimi në selinë e VV-së, u tha se përveç  dyshimeve për mundësitë e krijimit të një Zyre Hetimore Shtetërore, për vettingun, dekriminalizimin, dhe disa çështje tjera, ka qëndrim final të pajtimit në mes të dy partive.

Përfaqësuesi i grupit punues të LDK-së, Arben Gashi para gazetarëve elaboroi disa nga temat e diskutuara, teksa theksoi se Gjykata Speciale duhet të vazhdojë punën.

Gashi sqaroi se çka do të përmbajë Zyra Shtetërore Hetimore, por edhe tha se kjo ka ende nevojë e për sqarime për të parë nëse e cenon sistemin kushtetues.

“Zyra shtetërore e hetimit do të ketë disa kompetente, sipas këndvështrimit tonë. Komponenti i parë do të jetë lufta kundër krimit të organizuar, komponenti i dytë do të jetë hetimi i krimeve të vjetruara dhe krimeve politike. Komponenti tjetër do të jetë lufta kundër korrupsionit. Dhe komponenti e fundit që ka të bëjë me këtë zyrë do të jetë komponenti e sundimit të ligjit në aspektin e antikorrupsionit dhe zyrtarëve të dyshuar. Sa i përket këtyre fushave që janë siguria e jashtme e Kosovës, sundimi i ligjit, rendi publik kemi dakordësi me partnerët e mundshëm qeverisës, pra Lëvizjen Vetëvendosje”, tha ai.

Për qëndrimin e LDK-së karshi Gjykatës Speciale, Gashi tha se Dhomat e Posaçme të kësaj gjykatë duhet ta vazhdojnë punën e tyre.

Ndryshe, takimi i radhës i grupeve punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës  do të mbahet të hënën

Share.