Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona pasi të njëjtit dyshohet të kenë thyer xhamat e disa kioskave në veri të Mitrovicës.

Rasti është iniciuar “Vjedhje e rëndë në tentativë”.

“Me datë 11.04.2023 rreth orës 01:48, pas mesnatës, Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave dhe angazhimeve të saj ligjore në ruajtjen e sigurisë, ka pranuar informatën se në tregun te ura kryesore, rruga “Kollashini” Mitrovicë veri, dy persona të dyshuar janë duke thyer xhamat e disa kioskave, menjëherë patrulla policore në detyrë nga stacioni policor Mitrovicë veriu ka reaguar me shpejtësi dhe ka arritur në lokacionin e raportuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Raportohet se personat e dyshuar janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes pasi kanë parë pjesëtarët e Policisë por këta të fundit kanë arritur t’i ndalojnë ata.

“Zyrtarët policor në funksion të parandalimit të vjedhjes dhe arrestimit të personave të dyshuar kanë vazhduar ndjekjen e personave të dyshuar dhe pas një pune të mirë profesionale kanë arritur që rreth orës 02:30, t’i ndalojnë dy të dyshuarit në rrugën “Kral Petri””, thuhet tutje në njoftim.

Sipas Policisë, dy personat e arrestuar me inicialet A.R dhe LV janë të nacionalitetit serb.

Ata janë shoqëruar në Stacionin Policor në veri të Mitrovicës dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

/TV Malisheva

Share.