Sekretari i Shoqatës së Gastronomëve, Arian Vranica thotë se e gjithë kjo ka ardhur si shkak i mosrespektimit të punëtorëve ndër vite.

Vranica: Para 10 vjetëve kishte biznese te limituara e punëtorë pak, tash e kundërta

“Me një anë edhe nuk janë respektuar edhe punëtorët për një kohë të gjatë, nëse e shohim në një periudhë më të gjatë kohore, prej para 10 viteve ka qenë një situatë tjetër, ku kemi pasur biznese te limituara e punëtore shumë, dhe tash është e kundërta, po ashtu ka ndikuar edhe mosrespektimi i kontratave nga ana e bizneseve te punëtorët, mosrespektimi i përgjegjësive dhe detyrave… Natyrisht se edhe liberalizimi i vizave do të ndikoje negativisht në sektorin gastronomisë, por po shihet se një pjesë e gastronomisë e ka ndryshuar edhe kohën e operimit te biznesit të tyre, disa prej tyre edhe janë mbyllur”, thotë Vranica.

Vranica shprehet se nëse vazhdon ky fenomen, shumica e bizneseve do të jenë te detyruara të mbyllen.

“Është kontrata e punës kryesorja, përmirësimi i kushteve të punëtorëve brenda mundësive të punëtorit, të mos ngarkohet me përgjegjësi të tjera nëse vetëm janë të caktuara përgjegjësitë, sepse edhe kjo ka ndikuar që me pas pakënaqësi tek punëtorët. Mirëpo, tek ana e shtetit duhet të ndikojë me anë të disa politikave fiskale në mënyrë që të ulet edhe çmimi i produkteve, dhe me uljen e çmimit të produkteve do të reflektohej një mirëqenie më e mirë për punëtorët, dhe një rritje e konsumit më e madhe, më pak të ketë punëtor që humbin vendin punës dhe më pak biznese që kanë shumë telashe me punëtorë”, thotë Vranica.

Ndriçim Binishi, i cili punon në një nga kafiteritë në kryeqytet, thotë se e kanë të vështirë të punojnë me mungesë të punëtorëve.

“Mungesa e fuqisë punëtore vërehet dukshëm në vend, veçanërisht në gastronomi. Dhe kërkojmë prej qeverisë që të ndihmojë gastronominë, ndryshe do të vije deri te mbyllja e bizneseve”, thotë Binishi.

Ndërkaq, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë bëhet e ditur se vetëm në katër muajt e parë të këtij viti janë shuar 445 biznese. Një përgjigje me shkrim nga MINT thuhet se në këtë periudhë janë regjistruar 3078 biznese të reja.

“Përgjatë dy viteve të kësaj qeverie, kemi rritje rekord të bizneseve të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, me një total prej 24,778 bizneseve. Gjatë vitit 2021 kemi 10,652 biznese të reja të regjistruara, në vitin 2022 kemi 11,048 biznese të reja të regjistruara (numri më i lartë gjatë 10 viteve të fundit). Gjatë katër muajve të parë të vitit 2023, kemi 3078 biznese të reja të regjistruara, (shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë, krahasuar me muajt e parë të viteve të kaluara). Sa i përket bizneseve të shuara, gjatë vitit 2021 janë shuar 1574 biznese nga të cilat 259 kanë ndryshuar llojin e biznesit, kurse në vitin 2022 janë shuar 1773 nga të cilat 286 kanë ndryshuar llojin e biznesit dhe përgjatë 4 muajve të parë të këtij viti janë shuar 445 biznese nga të cilat 97 kanë ndryshuar llojin e biznesit”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Aktualisht, procedurat për hapjen e një biznesi në Kosovë janë shumë më të lehta sesa për mbylljen e tij, ku ka procedura burokratike.

/TV Malisheva

Share.