Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger, ku kanë biseduar për shumë çështje të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në fushën e arsimit, bashkëpunimit ndërparlamentar dhe menaxhimin e situatës me pandeminë Covid-19.

Kryetarja Osmani e falënderoi Austrinë për ndihmën dhënë Kosovës në menaxhimin e pandemisë dhe nënvizoi se e çmon lart kontributin e vazhdueshëm të Republikës së Austrisë në forcimin e shtetësisë së Kosovës dhe të institucioneve të saj.

“Austria ka qenë njëri ndër shtetet e para të cilat e kanë përkrahur përcaktimin e popullit të Kosovës për liri, qysh në fillim të viteve ’90. Kjo përkrahje, e cila ka qenë jetike në disa fusha, sidomos për arsimimin e të rinjve tanë, ka vazhduar deri sot dhe ne, si institucione dhe popull i Kosovës, i jemi përjetësisht mirënjohës popullit dhe shtetit austriak”, theksoi më tej znj. Osmani.

Sipas saj, fryt i këtij bashkëpunimi shumëvjeçar në fushën e arsimit është numri i madh i të rinjve që kanë studiuar në Austri dhe që sot po kontribuojnë në Kosovë, duke i aplikuar praktikat më të mira, të mësuara në Austri.

Ajo shprehu bindjen se bashkëpunimi i mirë i deritanishëm në fushën e arsimit do të vazhdojë, por po kështu shprehu gatishmërinë e saj dhe të Kuvendit të Kosovës që të punojë ngushtë me ambasadorin Weidinger për ta fuqizuar edhe më tej bashkëpunimin në fushën e diplomacisë parlamentare.

Ambasadori Weidinger, nga ana tjetër, theksoi se Kosova dhe Ballkani Perendimor janë prioritet i politikës së e jashtme të Austrisë dhe se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe më tej, për ta lehtësuar rrugëtimin e Kosovës dhe të vendeve të tjera të rajonit drejt BE-së./Tv Malisheva

Share.