Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, deklaroi nga Forumi Ballkanik i Budapestit se rajoni sheh sinjale pozitive nga BE për sa i përket procesit të integrimit dhe se pritshmëria është që brenda 2023 vendi ynë do të arrijë të mbajë Konferencën e Dytë Ndërqeveritare.
“Ne shohim një ndryshim në qasjen e BE ndaj rajonit, sidomos pas agresionit të paligjshëm rus në Ukrainë. Tashmë BE ka një qasje më strategjike ndaj Ballkanit Perëndimor, dhe perspektiva e integrimit evropian është e besueshme. Mbajtja e Samitit BE – BP në Tiranë ishte një mesazh i fortë i mbështetjes për rajonin, por edhe i përkushtimit të BE ndaj integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh ajo.
Ministrja Xhaçka u ndal gjatë diskutimit të saj edhe tek roli që ka luajtur Shqipëria në Këshillin e SIgurimit të OKB-së në raport me luftën në Ukrainë.
“Vendi ynë ka mbajtur një qëndrim të qartë e të guximshëm në KS, duke denoncuar agresionin e duke punuar diplomatikisht krah aleatëve për të izoluar Rusinë. Ky qëndrim është në linjë jo vetëm me aleatët tanë, por edhe me interesin tonë kombëtar, pasi ne besojmë që një sistem ndërkombëtar i bazuar tek rregullat, me Kartën e OKB-së si shtyllë të tij kryesore, është jetik për sigurinë e vendeve si Shqipëria. Unë nuk di të them se çfarë mund të bëjë më shumë OKB për të arritur paqen në Ukrainë, por di të them se kjo paqe duhet të fillojë me tërheqjen e trupave ruse nga Ukraina dhe respektimin plotësisht të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”, tha ajo.
Forumi Ballkanik i Budapestit organizohet nga Instituti për Punë të Jashtme dhe Tregti dhe Fondacioni Konrad – Adenauer. Përveç Ministres Xhaçka, të pranishëm ishin Ministri i Punëve të Jashtme i Hungarisë, Peter Szijjarto, ai i Serbisë, Ivica Daçiq dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani./TV Malisheva