Shkruan: Afrim Kasolli
Bota po bëhet gjithnjë e më e pasigurt. Tensionet dhe konfliktet në shumë zona nevralgjike kanë arritur pikën kritike. Konflikti i fundit ndërmjet shtetit Izraelit dhe grupit politik militant palestinez Hamas, po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm. Duke kërcuar që implikimet e tij të jenë edhe më të gjera. Me mundësi për ta destabilizuar gjithë Lindjen e Mesme. Në një përpjekje për ta ndaluar këtë spirale të dhunës, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden ka ndërmarr një udhëtim urgjent drejt Izraelit, pas qëndrimit disa ditorë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony J. Blinken, në rajon.
Kurse situata fragjile e sigurisë vazhdon të dominojë po ashtu edhe në Evropë, që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në kundërshtim flagrant me të drejtën ndërkombëtare. Deri më tani komuniteti Trans-Atlantik kas dëshmuar një unitet të plotë kundër këtij agresioni. Por edhe sa jetëgjate do të jetë kjo frymë mbetet të shihet. Liderë sikur, Presidenti i Hungarisë Victor Orban, një vend anëtar i NATO-së, kanë filluar ta shfaqin gjithnjë e më hapur solidaritetin politik me Carin e Ri të Kremlinit.
Në këtë klimë kaotike, deri sa Perëndimi po mundohet t’i menaxhojë dhe kontrollojë efektet e këtyre krizave “apokaliptike” , dy nga përfituesit më të mëdhenj të tyre, Kryetari i Kinës Xi Jinping dhe ai i Rusisë Vladimir Putin, po i fërkojnë duart nga Pekini në një përpjekje për ta sfiduar dhe ridizajnuar rendin ndërkombëtar sipas preferencave të tyre autokratike. Ky takim mbahet me rastin e shënimit të ceremonisë së 10 vjetorit të projektit “Një Brez – Një Rrugë”. Iniciativë kjo që mëton jo vetëm ndërtimin e infrastrukturës në shumë vende të botës, por edhe zgjerimin e ndikimit kinez përtej këtij shteti. Këto dy vende ka kohë që janë duke u angazhuar në çmontimin e parimeve të rendit ndërkombëtar në epiqendër të cilit ndodhen SHBA-të, i cili është instaluar që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Pjesë e këtij projekti tashmë shihet hapur se është edhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq. Me vet faktin se ai zgjodhi të bëhet pjesë e këtij eventi që po mbahet në Kinë, si dhe duke e dërguar në të njëjtën kohë kukullën e tij politike Kryeministren Ana Bërnabiq në Samitin e Berlinit që u mbajt në Tiranë, në mënyrë të hapur e ka transmetuar orientimin e tij politik.
Për më tepër Kosova po ashtu par pak dite i është nënshtruar një agresioni të grupeve të armatosua nga Serbia. Kurse përfaqësuesit e vendeve kryesore perëndimorë, pritet që me 21 tetor ta vizitojnë Kosovën dhe Serbinë në një përpjekje për të ringjallur procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, pas atij sulmi brutal. Madje sipas këtyre të fundit, pikërisht 24 shtatori dëshmoi rëndësinë e normalizimit të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë, udhëheqësit institucionale të shtetit pas këtij zhvillimi kanë mbrojtur pikëpamjen se pa sanksionim ndërkombëtar të Serbisë nuk mund të ketë dialog me këtë shtet.
Këto tensione po marrin hov në një kohë, ku sipas studiuesit të njohur të Robert Kagan, sistemi ndërkombëtar hap-pas-hapi në shumëçka po rrëshqet nga paradigma e ëndërruar e “kopshtit” drejt modelit të “xhunglës” ku forcat objektive historike dhe rivalitetet gjeopolitike po shndërrohen në përcaktues globale. Prandaj, veprimi i duhur në këto rrethana mbetet domosdoshmëri strategjike.
/TV Malisheva