Dani Alves thotë që Real Madridi është me fat që ka një diferencë të madhe në krye të tabelës kundër Barcelonës në La Liga, pas fitores 1:0 të “Blaugranëve” mbrëmë kundër Real Sociedadit.

Barça ka humbur vetëm dy ndeshje në La Liga që prej emërimit të Xavit si trajner, por që nuk ka mundur t’i afrohet me pikë Realit, pas një fillimi të dobët të sezonit, ku arritën të fitojnë vetëm katër nga 12 ndeshjet e para të stinorit, kështu duke lejuar Real Madridin që të marshojë me hapa të sigurt drejt titullit.

Momentalisht, Reali ka arkëtuar 15 pikë më shumë se vendi i dytë Barcelona, ku kjo e fundit ka një ndeshje më pak të zhvilluar, dhe pavarësisht se kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje deri në përfundim të këtij kampionati, si duket gara për titull në La Liga veçse ka përfunduar, përcjellë TV Malisheva.

Ndërkaq, këtë sukses të Realit, Dani Alves e quajti me fat, pasi që nëse Barça do të këndellej më herët gjërat do të ishin ndryshe.

“Ata janë me fat që ne nuk u rikthyem më herët. Ne gjithmonë planifikojmë që të garojmë ndryshe, por në fund jeta është e këtillë. Ne u rikthyem vonë dhe duhet të punonim shumë për ta marrë avantazhin nga ta”, tha Alves.

“Ne e kemi ditur që do të ishte tejet e vështirë për shkak të gjendjes së rivalit dhe të situatës sonë, por unë insistoj, ata janë me fat që ne nuk u rikthyem më herët”, shtoi më tej mbrojtësi brazilian.

Me fitoren e mbrëmshme 1:0 kundër Real Sociedadit, Barcelona renditet në vendin e dytë në tabelë me gjithsej 63 pikë të arkëtuara, aq sa ka edhe skuadra e Sevillas në vendin e tretë.

/TV Malisheva

Share.