Sulmuesi i Arsenalit, Alexandre Lacazette ka konfirmuar se ai tashmë është në bisedime me klube të tjera për një transferim diku tjetër këtë verë.
30-vjeçari do të bëhet një lojtar i lirë në fund të sezonit dhe pritet t’i japë fund qëndrimit të tij në Londrën e Veriut pas një periudhe pesëvjeçare me “Topçinjtë”.
Lyon mendohet të jetë i etur për të rikthyer ish-sulmuesin e tyre, dhe Lacazette ka refuzuar të mbyllë derën për një rikthim të mundshëm në stadiumin “Groupama”, përcjellë TV Malisheva.
“Jam në diskutime me shumë klube”, tha Lacazette për “Canal Plus”. “Unë jam i hapur… Unë kurrë nuk kam ndërprerë kontaktet me Lyonin që kur jam larguar. Mundohem të kthehem në klub një ose dy herë në vit për të parë stafin mjekësor sepse jemi shumë afër. Lyoni e di që unë jam i lirë, ata e kanë tashmë këtë informacion”.
“Dua të luaj në Evropë, ka kohë që nuk luaj në Champions League, më mungon. Është pak më e komplikuar, asgjë nuk është e pamundur në jetë, por është pak më e komplikuar”, shtoi sulmuesi i Arsenalit.
Lacazette ka gjetur rrjetën vetëm katër herë në 25 paraqitje në Premier Ligë për Arsenalin këtë sezon dhe është pa gol në lojën e hapur që nga dhjetori.
Francezi humbi ndeshjen e fundit ndaj Southamptonit pasi rezultoi pozitiv për COVID-19 dhe mbetet në dyshim për derbin e Londrës të së mërkurës me Chelsean në “Stamford Bridge”.
/TV Malisheva