Kosova të hënën e 14 tetorit do ta zhvillojë njërën nga ndeshjet më të rëndësishme në eliminatoret për Kampionatin Evropian, ku në stadiumin “Fadil Vokrri” ndeshet me Malin e Zi, shkruan sot.

Tifozët mezi po e presin këtë sfidë, derisa analistët po besojnë se ekipi i Challandesit do të vazhdojë me performancën e mirë që kishte deri më tash në këto eliminatore.

Futbollisti i mirënjohur kosovar Mark Milicaj në një bisedë për gazetën “Zëri” ka thënë se Kosova ka forcë për ta fituar këtë ndeshje.

“Po besoj që Kosova është në një formë të mirë pavarësisht humbjes ndaj Anglisë, besoj se morali i lojtarëve vetëm është ngritur pasi kanë zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë duke e ditur që përballë kanë pasur një gjigant botëror të futbollit, siç është Anglia”, ka thënë Milicaj, duke folur pastaj për ndeshjen me malazezët.

“Kjo ndeshje është vendimtare. Kosova ka një trajner që dita-ditës po e dëshmon se di t’i motivojë futbollistët e tij, gjithashtu di ta largojë presionin nga ta dhe di t’i bëjë të përqendruar për ndeshje”, tha ish-futbollisti i shumë skuadrave kosovare sipas të cilit Muriqi e Rashica do ta vendosin ndeshjen.

“Kosova ka mjaft futbollistë cilësorë edhe pse ka mungesa, por besoj se cilësia e përvoja e Berishës në mesfushë do të jetë një nga elementet kyçe të ndeshjes. Normal Rashica dhe Muriqi do të jenë rreziku kryesor për kundërshtarin”, ka përfunduar Mark Milicaj.

Share.