YouTube ka bllokuar tri kanale ruse, të cilat udhëhiqeshin nga oligarku rus Konstantin Malofejev (Konstantin Malofeev) dhe ideologu i presidentit rus Vladimir Putin, Aleksandar Dugin.

Përveç kanaleve të YouTube “Telekanali Carigrad”, “Shqiponja dykrerëshe” atyre u janë mbyllur edhe llogaritë e postës elektronike (e-mail) të Google, përkatësisht Gmail, të cilat japin qasje në Youtube.

Kanalet televizive ruse, “Carigrad (Kostandinopoja)” dhe “Shqiponja me dy koka”, që propagandonin për interesa të Kremlinit, ishin themeluar nga Konstantin Malofeev, i afërt me Putinin. Aktivitetet kryesore të tij janë propaganda përmes organizatave që janë të afërta me kishën Ortodokse Ruse.

Kanali televiziv “Paideuma.tv”, i themeluar nga Aleksandar Dugin, gjithashtu ka propaganduar për interesa të Moskës zyrtare.

Ndryshe, Aleksander Dugin, quhet edhe si “Truri i Putinit” (Putin`s Brain), është ithtar dhe ideolog i ringritjes së Rusisë në kufijtë e Perandorisë Ruse dhe krijimit të Aleancës së Euro-Azisë, në të cilën Rusia do ta kishte rolin kryesor dhe do të bllokonte zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe NATO-s në shtetet e Evropës Lindore.

Dugin gjatë viteve të fundit ka qenë mjaft aktiv në Ballkanin Perëndimor. Ai ishte munduar që përmes thirrjeve për organizatat pro-ruse në Malin e Zi dhe Maqedoninë Veriore, të bllokojë procesin e anëtarësimit të këtyre dy shteteve në NATO./Tv Malisheva

Share.