Nga takimi i djeshëm mes drejtuesve të Federatës Italiane të Futbollit dhe Ministrit të Sporteve, pritej më shumë qartësi rreth rifillimit të kampionatit, por përfaqësuesi i qeverisë vendosi të marrë më shumë kohë për t’u konsultuar edhe me aktorë të tjerë, para se të dalë me një vendim final.
Në fakt, burime për mediat italiane shpjegojnë se nuk ka asnjë kundërshti për rinisjen e stërvitjes së diferencuar më datën 4 maj, menjëherë pas përfundimit të masave të izolimit, të imponuara nga qeveria, por shqetësimi i klubeve lidhet me një tjetër aspekt tashmë.
Kjo pasi deri tani qeveria ka dhënë një miratim paraprak për rinisjen e stërvitjes, por ende nuk ka folur për asnjë moment për zhvillim ndeshjesh dhe klubet me të drejtë janë shprehur se do të ishte e panevojshme të zbresin në stërvitje, nëse nuk do të ketë një datë për të zhvilluar ndeshjet.
Gjatë ditës së sotme ministri i sporteve Vincenzo Spadafora pritet të mbajë një takim me ministrin e Shëndetësisë dhe përfaqësues të Komitetit Shkencor që po menaxhon situatën e pandemisë në Itali, në prani edhe të kryeministrit Conte, për të diskutuar për një vendim final.
Megjithatë paraprakisht është hedhur ideja që stërvitja të rinisë më 4 maj në mënyrë të diferencuar të paktën deri më 18 maj dhe sa i përket zhvillimit të ndeshjeve, mendohet që gjithçka të rinisë rreth datës 13 qershor, një periudhë kjo kur mendohet që në Itali të jetë rivendosur normaliteti.
Opsioni tjetër është ai i nisjes së seancave stërvitore vetëm më datën 18 maj, por në këtë rast do të duhej një zgjidhje tjetër për mbylljen e kampionatit, pasi nuk do të kishte kohë për zhvillimin e të gjithë ndeshjeve të mbetura./ Tv Malisheva