Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky së fundi ka kontaktuar përmes telefonit numrin një të UEFA-s, Aleksander Ceferin për të shprehur falënderimet për mbështetjen ndaj sportistëve ukrainas, ndihmën në rifillimin e kampionatit të futbollit në Ukrainë.

Por përtej kësaj mirënjohjeje, Zelensky ka folur me Ceferin edhe në lidhje me Superligën Evropiane, për të cilën ka kërkuar nga ai që ide të tilla të mos gjejnë hapësirë për t’u zhvilluar.

Kjo është ajo që del nga një letër e dërguar nga vetë Zelensky në UEFA pas vendimit për përjashtimin e Rusisë nga Kampionatin Evropian 2024 e cila është zbuluar nga gazeta spanjolle “AS”.

“Në këtë kontekst, shpresoj që ideve si ato që fshihen pas të ashtuquajturës Superligë evropiane do t’i jepet fund, sepse thelbi i futbollit është edhe shpresa, solidariteti dhe gëzimi, dhe kjo vlen më shumë se paratë, më shumë se individi dhe privilegjet”, ka shkruar Zelensky.

“Këto nuk janë vetëm themelet e modelit evropian të sportit, diçka që ne duhet të përpiqemi kolektivisht ta ruajmë, por gjithashtu një komponent i rëndësishëm i demokracisë dhe zhvillimit të Evropës. Futbolli është bërë një mënyrë jetese për shumë qytetarë dhe i ringjall këto vlera në shoqëri. Kjo është ajo që futbolli mund dhe do të bëjë për ne, për Ukrainën”, shtoi presidenti ukrainas.

Ndryshe, dy vite më parë, presidentët e disa prej klubeve më të mëdha evropiane provuan të krijojnë një kompeticion të ri pa miratimin e UEFA-së, projekt i cili më pas dështoi pasi disa klube u tërhoqën pas UEFA i njoftoi se nuk do të jenë pjesë e asnjë kompeticioni tjetër që organizohet nga UEFA.

Share.