Zbulimeve arkeologjike, në fushën e Korçës, u janë shtuar edhe tre site të tjera me palafite, në bregun e liqenit të Ohrit. Sipas arkeologut shqiptar Ardian Anastasi, janë zbuluar tre site me palafite në breg të liqenit, të cilat mendohet se kanë ekzistuar rreth 5200 vjet para Krishtit.

Për të përcaktuar saktë vjetërsinë, arkeologu zvicerian i cili po punon së bashku me kolegët e tij shqiptarë, ka informuar prefektin e qarkut Korçë, Nertil Jole, se pritet rezultati i analizave laboratorike nga universiteti i Oxford-it në Angli. Prej mostrave të strukturës së tokës, marrë nga gërmimet në të tre sitet, pritet të përcaktohet vjetërsia e këtyre shtëpive të ngritura mbi shtylla druri, në zona bregliqenore, me qëllim mbrojtjen nga përmbytjet apo kafshët e egra.

Arkeologët mendojnë se po konfirmohen të dhënat që provojnë elementet e agrikulturës shumë të hershme në fushën pranë liqenit, që ata i kanë quajtur edhe si “Fermerët e parë të Europës”, fakt i cili dëshmon për gjurmët e lashta të ekzistencës sonë. “Frymëzuese të shohësh pasionin e arkeologëve shqiptarë nga Shqipëria e Kosova, si dhe atyre nga Zvicra”, shprehet prefekti Jole.

Arkeologët po punojnë në terren me një projekt të përbashkët financuar nga qeveria zvicerane në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë në Tiranë, për zbulimin e shtëpive prej druri-palafite në bregun e liqenit të Ohrit, në afërsi të fshatit Buqezë. Ky projekt ka nisur në verën e vitit 2019 dhe përfundon në vitin 2025.

Hulumtime të tilla përveçse ngjallin kuriozitet, japin edhe jehonë pozitive për atraksione unike prehistorike në qarkun Korçë./atsh/

Share.