Në fshatin Moistir të Komunës së Istogut, të dielën u zbulua pllaka përkujtimore për veteranin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Qazim Zekaj.
Në ceremoninë e zbulimit të pllakës u fol për luftën dhe veprimtarinë e Qazim Zekaj për të cilin u tha se ai asnjëherë nuk u gjunjëzua para armikut por që luftoi ballë përballë me ta.
Komandat i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sadik Halitjahaj tha se Qazim Zekaj është simboli i luftës së UÇK-së.
“Ne jemi mbledhur këtu jo vetëm për ta kujtuar veprimtarinë e tij por të kujtojmë edhe sukseset dhe të arriturat bashkë me veprimtarët e tij në luftën e tij në Ushtrinë Çlirimtar të Kosovës deri më sot[…] baci Qaz ishte simbol i Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili u dëgjua aq shumë edhe në zonën e Pashtrikut saqë ushtarët mbeteshin me trimëri kur e përmendin plakun e luftës siç e quanin ata plaku i maleve i cili nuk diti asnjëherë të gjunjëzohet para armikut por luftoi ballë përballë derisa mori shumë plagë. Me shumë plagë të tij ai mund të krahasohet me Gjergj Elez Alinë”, u shpreh ai.
Organizata e OVL-UÇK dega në Drenas ka ndarë mirënjohje në shenjë kontributi për luftën që bëri Qazim Zekaj.
Kryetari i OVL-së dega në Drenas, Enver Hajdari tha se pllaka e zbuluar në Moistir të Komunës së Istogut do të jetë monument historik për brezat që do të vijnë.
“Ne kemi ndarë një mirënjohje shenjë kontributi, shenjë lufte, respekti për bacën Qaz që e kemi pas. Lum ata që e kanë njohur dhe e kanë përjetuar dhe ta gëzojnë këtë luftë. Baca Qaz ishte një veprimtar i çështjes kombëtare, ai ishte i plagosur dhe dha gjak për këtë vend prandaj në shenjë respekt të gjithë dëshmorëve dhe bacës Qaz ne do ta ndajmë një mirënjohje. Kjo pllakë do të jetë një monument historik për brezat që do të vijnë”, tha ai.
Edhe Ismet Sylejmani veprimtar i çështjes kombëtare, u shpreh se vendi ku u zbulua pllaka e Qazim Zekaj do të jetë vend i shenjtë.
“Ky vend këtu përfundimisht do të jetë vend i shenjtë sepse brezat që do të bëjnë në të ardhmen do të kenë çka të shohin. Sigurisht që shtati i luftëtarit të lirisë me gjithë ato plagë që ka marrë në fronte të luftës që pushon përgjithmonë këtu bashkë me statujën e tij dhe kokën e derdhur në bronz do të shoqërohet kudo nëpër gjeografinë e atdheut. Dashuria ndaj atdheut deri sot nuk është dëshmuar që ka njësi matëse, prandaj ne kemi matur dashurinë ndaj tokës së të parëve tanë vetëm në saje të figurave të mëdha dhe të lavdishme të kombit, të atyre që na kanë mësuar se si duhet ta duam atdheun dhe sa duhet dhe mund të bëjmë për çlirimin tij. Njëri nga ata që na dëshmon njësinë matëse se si duhet ë duhet atdheu është familja e Qazim Zekës”, u shpreh Sylejmani./TV Malisheva