Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë një vizitë të paparalajmëruar në Kanada në mision për të siguruar përkrahje sa më të gjerë ndërkombëtare për vendin e tij në luftën kundër pushtuesve rusë.

Televizioni Kanadez e shfaqi kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau, duke u takuar me Zelenskyn në pistën e një aeroporti në Otavë. Kjo është vizita e parë e presidentit ukrainas në Kanada që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, raporton televizioni BBC.

Zelensky arriti në Kanada nga Uashingtoni, ku u takua me presidentin amerikan, Joe Biden, dhe me zyrtarë të tjerë të fuqisë botërore.

Presidenti ukrainas shpresoi që të siguronte më shumë mbështetje dhe fonde në ShBA për luftën e vendit të tij kundër Rusisë. Më herët këtë javë, ai u bëri thirrje në OKB udhëheqësve botërorë që ta vazhdojnë përkrahjen ndaj Ukrainës.

Megjithatë, tensionet diplomatike janë në rritje, pasi Zelensky i ka kritikuar Poloninë, Sllovakinë dhe Hungarinë për ndalimin e importimit të drithit nga Ukraina.

Kongresi i Shteteve të Bashkuara tashmë ka dhënë dritë të gjelbër për ndarjen e më shumë se 110 miliardë dollarëve ndihmë për Ukrainën, por anketat tregojnë se po bie përqindja e amerikanëve që e mbështesin vazhdimin e përkrahjes së mëtejme për shtetin e goditur nga lufta.

Shumë republikanë argumentojnë se do të ishte më mirë që të hollat të shpenzoheshin për nevoja të brendshme, por gjatë vizitës së Zelenskyt, presidenti Biden miratoi pako të re të ndihmës me vlerë të 325 milionë dollarëve për Ukrainën.

/TV Malisheva

Share.