Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha sot në konferencën e donatorëve për Ukrainën se lufta në atë vend po zgjidhet jo vetëm në fushën e betejës, por edhe në sferën e ekonomisë, ndihmës humanitare dhe organizimit të “jetës normale” për qytetarët ukrainas.
“Liria duhet të tregojë se i shërben njerëzve më mirë se tiranisë. Kështu fiton liria dhe kjo është arsyeja pse kjo konferencë është e rëndësishme”, tha Zelensky në një video-fjalim në një tubim të organizuar nga Polonia dhe Suedia.
Ai vuri në dukje se Ukraina, Evropa dhe e gjithë bota ishin “në rrugën drejt fitores” në takimin ku morën pjesë presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, dhe përsëriti se Ukraina duhet të marrë statusin e kandidatit “me procedurë të shpejtë”, për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kryeministri ukrainas Denis Schmihal, i pranishëm në Barava, tha se Ukrainës i duhen katër gjëra për të fituar – armë, sanksione, fonde dhe një perspektivë evropiane.
Kryeministri polak Mateusz Morawiecki e quajti sulmin rus ndaj Ukrainës një luftë gjenocidale dhe theksoi se do të bëhet gjithçka për të ndaluar Rusinë dhe për të siguruar fitoren e Ukrainës.
Ai tha se Ukraina ka nevojë për 12.000 tonë ndihma humanitare në ditë, dhe aktualisht merr vetëm 3.000, kjo është arsyeja pse konferenca të tilla donatore janë të nevojshme.
Muajin e kaluar, Konferenca Ndërkombëtare e Donatorëve në Varshavë përfundoi fushatën globale “Ngrihuni për Ukrainën”, e cila mblodhi 9.1 miliardë euro për të ndihmuar popullin ukrainas, ndërsa Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim njoftoi se do të ndajë një miliard euro shtesë për personat e zhvendosur.
/TV Malisheva