Ukrainasit po vazhdojnë të rezistojnë në qytetin e rrethuar të Mariupolit, tha më 22 prill presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Ai hodhi poshtë pretendimet e Rusisë se kanë “çliruar” këtë qytet-port në Detin e Zi, pas pothuajse dy muajsh të bombardimeve intensive që kanë shkaktuar mijëra vdekje dhe shkatërrim të madh.
Më 21 prill, presidenti rus, Vladimir Putin, pretendoi se forcat ruse kanë “çliruar” Mariupolin dhe urdhëroi që të ndërpritej plani për sulmimin e fabrikës së hekurit dhe çelikut Azovstal, ku mijëra ushtarë ukrainas, së bashku me qindra civilë, janë të vendosur.
Në vend të sulmit, Putin urdhëroi forcat ruse që ta rrethonin Azovstalin aq shumë “sa as mizat të mos mund të fluturojnë jashtë tij”, duke argumentuar se “nuk ka nevojë” që të rrezikohet jeta e ushtarëve rusë.
Por, Zelensky tha se luftimet po vazhdojnë.
“Në jug dhe lindje të vendit tonë, pushtuesit po vazhdojnë gjithçka për të pasur arsye që të flasin për të paktën disa fitore”, tha ai gjatë një video-adresimi.
“Ata vetëm mund ta vonojnë të pashmangshme – kohën kur pushtuesit duhet të largohen nga territori ynë, në veçanti në Mariupol, një qytet që vazhdon t’i rezistojë Rusisë, pavarësisht gjithçkaje që thonë pushtuesit”.
Ndërkaq, ushtria britanike tha më 22 prill se vendimi i Putinit për të bllokuar Azovstalin me gjasë është tregues i një dëshire për të frenuar rezistencën në Mariupol.
“Një sulm i plotë tokësor nga Rusia në këtë fabrikë ka të ngjarë të shkaktojë viktima të konsiderueshme ruse, duke ulur më tej efektivitetin e tyre të përgjithshëm luftarak”, tha Ministria britanike e Mbrojtjes, në përditësimin e rregullt të informacioneve nga lufta në Ukrainë.
Ushtria britanike tha po ashtu se granatime të ashpra kanë vazhduar në rajonin lindor ukrainas të Donbasit, teksa Rusia po tenton që të përparojë edhe më tej në lindje.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, po ashtu ka thënë se pretendimi rus për fitore në Mariupol ishte “i dyshimtë” teksa ai njoftoi për një pako të re të ndihmës për Ukrainën në vlerë prej 1.3 miliard dollarësh.
“Ende nuk ka ndonjë dëshmi se Mariupoli ka rënë plotësisht”, tha Biden më 21 prill, teksa foli nga Shtëpia e Bardhë. Gjatë këtij adresimi, ai tha se paketa e re prej 800 milionë dollarësh e ndihmës ushtarake, do të mbështesë forcat e guximshme ukrainase dhe civilët të cilët po luftojnë kundër pushtimit rus në rajonin e Donbasit.
“Rusia ka nisur dhe ka ripërqendruar fushatën e saj për të marrë nën kontroll territore të reja në lindje të Ukrainës dhe ne jemi në një moment kritik, kur ata do të vendosin për fazën e re të kësaj lufte”, tha Biden.
Ai shtoi se SHBA-ja dhe aleatët “po lëvizin sa më shpejt që po munden” që t’i ofrojnë Ukrainës pajisje dhe armë që i duhen.
Sipas presidentit Biden, pakoja e re e ndihmës është përshtatur që të mbështesë luftimet në rajonin e Donbasit.
Ai po ashtu njoftoi se SHBA-ja do të ndalojë anijet e lidhura me Rusinë që të ankorohen në portet amerikane, duke iu bashkuar kështu Kanadasë dhe vendeve evropiane, që kanë vendosur një masë të tillë. Presidenti amerikan po ashtu njoftoi për 500 milionë dollarë ndihmë të drejtpërdrejtë ekonomike për Ukrainën, me të cilat do të paguhen pagat qeveritare, pensionet dhe programet e tjera.
Zelensky shprehu mirënjohjen e tij për këtë ndihmë, por tha se shteti i tij ka nevojë për më shumë. Ai tha se Ukrainës, përveç armëve dhe parave teksa lufta po vazhdon, i duhen 7 miliardë dollarë çdo muaj për të rikuperuar humbjet ekonomike.
Me dhjetëra-mijëra ndërtesa të dëmtuara dhe me shkatërrimin e infrastrukturës kyçe, “ne do të na duhej qindra miliarda dollarë për rindërtim”, tha Zelensky gjatë një adresimi përmes video-lidhjes në një takim me udhëheqësit e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Zelensky tha se forcat ruse synojnë të shkatërrojnë “të gjitha objektet në Ukrainë që mund të shërbejnë si bazë ekonomike për jetën. Këtu përfshihen stacionet e hekurudhave, depotë e ushqimeve, naftës dhe rafineritë”.
Teksa janë premtuar ndihma, fati i Mariupolit është i paqartë, pasi mbrojtësit ukrainas të këtij qyteti janë bllokuar në fabrikën e Azovstalit.
Një prej luftëtarëve ukrainas i tha BBC-së se kjo fabrikë e rrethuar, është gjerësisht e shkatërruar nga bombardimet.
“Ne kemi persona të plagosur dhe të vdekur brenda bunkerëve. Disa civilë janë të bllokuar nën ndërtesat e rrënuara”, tha Svyatoslav Palamar.
Trupat ruse kanë vazhduar përpjekjet për ta sulmuar Azovstalin, pavarësisht urdhrit të Putinit për të ndaluar përpjekjet e tilla, thanë autoritetet ukrainase.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka bërë thirrje Rusisë që të respektojë ligjin humanitar ndërkombëtar dhe të lejojë civilët që të largohen nga Mariupoli.
“Në Mariupol, situata veçse po përkeqësohet. Dhjetëra-mijëra civilë janë të bllokuar. Edhe një herë i bëj thirrje Rusisë që të respektojë ligjin humanitar ndërkombëtar, të lejojë banorët të largohen nga qyteti dhe të lejojë që në këtë qytet të dërgohet ndihma humanitare”, shkroi Macron në Twitter.
Zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk, tha se më 21 prill janë evakuuar 79 persona nga Mariupoli. Sipas saj, shumica prej të evakuuarve janë gra.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, deklaroi në orët e vona të 21 prillt se përderisa rusët “po vendosin shumë forca dhe po angazhohen në luftime” për ta marrë Mariupolin, SHBA-ja ende e sheh këtë qytet si të kontestuar.
“Vlerësimi ynë këtu në Pentagon është se ukrainasit ende po luftojnë për këtë qytet”, tha Kirby për CNN. Ai shtoi se Pentagoni vlerëson se forcat ruse “ende nuk kanë arritur asnjë fitore territoriale në Donbas”.
Pavarësisht se Moska është përqendruar në lindje, forcat ruse ende nuk janë rikuperuar nga humbjet që kanë pësuar në fillim të konfliktit, u tha në vlerësimin e ushtrisë britanike.
Në mënyrë që të rindërtojnë forcat e saj, ushtria ruse ka filluar të dërgojë në Rusi pajisjet jofunksionale ushtarake, tha Ministria britanike e Mbrojtjes.
/TV Malisheva