Presidenti i Ukrainës Volodomyr Zelensky tha sot se Rusia ka nisur ofensivën e re të madhe në lindje të vendit.

“Trupat ruse kanë filluar betejën për Donbas-in, për të cilën janë përgatitur për një kohë të gjatë”, tha Zelensky në një video-fjalim duke shtuar se një pjesë e konsiderueshme e ushtrisë ruse tani është e përqendruar në ofensivë.

Forcat ruse janë ri-pozicionuar dhe përforcuar për disa javë pasi u penguan në përpjekjen e tyre për të kapur kryeqytetin Kiev.

“Pavarësisht se sa trupa ruse janë shtyrë atje, ne do të luftojmë. Ne do të mbrohemi. Ne do ta bëjmë atë çdo ditë,” tha Zelensky, transmeton Sky News.

Njoftimi i presidentit pasoi deklaratat e sotme të disa zyrtarëve të lartë se një fazë e re e luftës kishte filluar.

Shefi i kabinetit presidencial Andriy Yermak shkroi në Telegram se “faza e dytë e luftës ka filluar”, por u bëri thirrje njerëzve të qëndrojnë të vendosur.

Ai mbështeti një mesazh të mëparshëm nga zyrtari më i lartë i sigurisë së Ukrainës se “faza aktive” e një ofensive të re kishte filluar sot në mëngjes.

Share.