Presidenti ukrainas u ka bërë thirrje zyrtarëve që të mos flasim më me gazetarët për taktikat ushtarake kundër Rusisë, teksa një zyrtare e lartë e Ministrisë së Mbrojtjes tha se është hapur një hetim lidhur me rrjedhjen e informacioneve.

Deklaratat e Volodymyr Zelenskyt vijnë teksa spekulimet po vazhdojnë lidhur me shkakun e një serie shpërthimesh më herët gjatë kësaj jave në bazën ajrore ruse në Krimenë e okupuar.

Shpërthimet kanë shkatërruar të paktën tetë avionë luftarakë rusë që ishin në bazën ajrore në Krime.

Imazhet satelitore shfaqin dëme të mëdha në bazën ajrore në Krime

Imazhet satelitore kanë shfaqur shkatërrim të madh në bazën ajrore Saki që gjendet në perëndim të qytetit Novofedorivka të Krimesë.

Rusia ka sugjeruar se shpërthimet kanë ndodhur për shkak të pakujdesisë. Megjithatë, zyrtarë të paidentifikuar ukrainas i kanë thënë mediave amerikane se forcat ukrainase janë përgjegjëse për shpërthimet.

“Lufta definitivisht nuk është koha për gjëra të kota dhe për deklarata të zëshme”, tha Zelensky, gjatë një video-adresimi në orët e vona të 11 gushtit.

“Sa më pak detaje të zbuloni për planet tona të mbrojtjes, aq më mirë do të jetë për zbatimin e atyre planeve”, shtoi ai.

Zelensky tha se publikimi i taktikave ushtarake është veprim i papërgjegjshëm.

“Nëse dëshironi që Ukraina të fitojë duhet të jeni të vetëdijshëm se jeni përgjegjës për çdo fjalë që thoni për planet e Qeverisë sonë për mbrojtje apo kundërsulme”, tha ai.

Përmes një postimi në Facebook, zëvendësministrja e Mbrojtjes, Hanna Malyar, tha se shërbimet e sigurisë po hetojnë se kush ka folur për mediat lidhur me shpërthimet.

“Rrjedhje të tilla të informacionit pengojnë planet e ushtrisë ukrainase, pasi që armiku mund të ndryshojë veprimet e tij dhe të përdor këtë informacion kundër nesh”, shkroi ajo.

Turqia, ndërkaq, tha se edhe dy anije me drithëra janë larguar nga portet ukrainase në Detin e Zi më 11 gusht, duke bërë që totali i anijeve që janë larguar nga Ukraina të arrijë në 14.

Ukraina ka arritur marrëveshje me Turqinë dhe Kombet e Bashkuara më 22 korrik për të zhbllokuar eksportin e 22 milionë tonë mistri dhe drithërave të tjera që kishin mbetur në porte dhe depo, qëkur Rusia nisi pushtimin e shtetit më 24 shkurt.

Ukraina është një eksportuese e madhe e grurit, misrit dhe drithërave të tjera dhe pamundësia për të eksportuar këto produkte ka kontribuar në rritjen e çmimeve të ushqimit në mbarë botën. Rritjet e çmimeve kanë rritur frikën se disa shtete mund të preken nga uria ose mund të shkaktohet jostabilitet politik./TV Malisheva

Share.