Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka kërkuar sot vendeve perëndimore që të ofrojnë më shumë armatime për Ukrainën.
Duke folur në një fjalim video në parlamentin portugez, Zelensky akuzoi ushtrinë ruse për kryerjen e shumë mizorive në Ukrainë, duke përfshirë qytetin port të Mariupol.
Ai gjithashtu i kërkoi Portugalisë të mbështesë një embargo globale ndaj naftës ruse.
Më herët të enjten, presidenti i SHBA-së Joe Biden premtoi 800 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën. Zelensky iu përgjigj lajmit në Twitter, duke thënë se ndihma është e nevojshme sot më shumë se kurrë.
“Ajo shpëton jetën e mbrojtësve tanë të demokracisë dhe lirisë dhe na sjell më pranë rivendosjes së paqes”, ka shkruar ai.