Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj pasditen e sotme ka vizituar Klinikën e Kirurgjisë Torakale në QKUK, nga ku u zotua se pa marrë parasysh ashpërsimin e pandemisë asnjë rast emergjent nuk do të mbetet pa u trajtuar.

I pari i Shëndetësisë ka theksuar se ministria që ai udhëheq, është duke u kujdesur për kthimin e tërësishëm të stafit mjekësor, në mënyrë që edhe pacientët me sëmundje jo Covid të marrin shërbimet e nevojshme, pasi disa prej shërbimeve ishin reduktuar për shkak të pandemisë.

Zemaj: Duam përmirësimin dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore

“Në luftën aktuale kundër pandemisë Covid-19 personeli ynë shëndetësor është përballur me vështirësi edhe me infeksion por është dashur që të reduktojmë stafin në nivele të ndryshme por tani po mendojmë që t’i fuqizojmë të gjitha kapacitetet, t’i kanalizojmë veprimet tona në aspekt të dukshëm dhe të ofrojmë shërbime për qytetarët e vendit, krahas luftimit të pandemisë. Lufta jonë nuk është vetëm kundër pandemisë është përmirësimi dhe avancimi i shërbimeve shëndetësore”, ka thënë ai.

Të njëjtin mendim ndan edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, i cili ka theksuar se asnjë pacient i çfarëdolloj sëmundjeje nuk duhet të pësojë në këtë kohë.

Krasniqi u zotua se pavarësisht situatës aktuale e cila është krijuar për shkak të Covid-19, pacientët do t’i marrin të gjitha shërbimet me profesionalizëm dhe në kohën e duhur.

Krasniqi: Pacientët me sëmundje jo Covid nuk duhet të pësojnë

“Ne si shërbim spitalor kemi obligim që asnjë pacientë me sëmundje të tjera të natyrës jo Covid, të mos pësojë në këtë kohë. Pacientët e natyrës kirurgjike të përfshirë edhe kirurgjinë torakale janë pacientë të cilët kërkojnë ndërhyrje të shpejta akute, prandaj edhe në këtë kohë të pandemisë këto shërbime duhet të funksionojnë. Jemi këtu për të siguruar qytetarët se pa marrë parasysh ashpërsinë e pandemisë, shërbimet emergjente të çfarëdo natyre pra edhe ato kirurgjike do t’i marrin me profesionalizëm dhe në kohën e duhur”, ka thënë ai.

Ndërsa, drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Saudin Maliqi ka thënë se gradualisht po mundohet të rikthejnë stafin e reduktuar për shkak të pandemisë, me qëllim që pacientët e kësaj klinike të marrin të gjitha shërbimet bazike.

Maliqi: Planifikojmë hapje graduale

“Kemi qenë kohëve të fundit të shtyrë të reduktojmë shumë për shkak të situatës ose të zvogëlojmë shumë ndërhyrjet kirurgjike, por tani planifikojmë të bëjmë një hapje më të ngadalshme në mënyrë që t’i ofrojmë një shërbim bazik për mbrojte të gjithë qytetarëve tanë edhe të mendojmë për ta edhe në këto kushte”, ka deklaruar ai./Tv Malisheva

Share.