Zhan Pol Sartri lindi më 21 qershor të vitit 1905. Ai ishte filozof francez dhe autor, një nga figurat kryesore të filozofisë së ekzistencializmit, dhe filozofisë në përgjithësi, përfshi atë marksiste të shekullit XX.

Jean-Paul Sartre u lind dhe u rrit në Paris nga Jean-Baptiste Sartre, një oficer i Marinës Franceze, dhe Anne-Marie Schweitzer. Kur Sartri mbushi 15 muaj, babai i tij vdiq nga një sëmundje. Mamaja e vet e rriti atë me ndihmën e babait të saj, Charles Schweitzer, një profesor gjimanzi i Gjermanishtes, i cili ia mësoi Sartrit metematikën dhe ia prezantoi atij literaturën klasike në një moshë shumë të re. Si adoleshent në vitet 1920, Sartri u interesua për filozofi pasi lexoi libra nga Henri Bergson.

Ai studio dhe u diplomua në filozofi në Paris në elitën École Normale Supérieure, një institucion i edukimit të lartë që kishte nxjerrë disa mendimtarë dhe intelektualë të rëndësishëm Francezë. Sartri i ndikua nga shumë aspekte të Filozofisë perëndimore, duke marrë ide nga Kanti, Hegeli, Husserli dhe Heideggeri, ndër të tjerë. Sartri kreu shërbimin ushtarak në Ushtrinë Franceze nga viti 1929 deri më 1931. Më 1939 ai ishte në ushtrinë franceze, ku shërbente si meteorolog.

Ai u kap nga forcat gjermane më 1940 në Padoux, dhe kaloi nëntë muaj si i burgosur lufte. Sartri u lirua në prill 1941. Pasi iu dha statusi i civilit, ai rifilloi punën si mësues në Lycée Pasteur afër Parisit, i vendosur në Hotel Mistral afër Montparnasse tek Paris dhe iu dha një pozicion i ri tek Lycée Condorcet, duke zëvendësuar një mësues hebre të cilit i ishte ndaluar mësimdhënia nga i ashtuquajturi Vichy law apo Statuti mbi Hebrenjtë.

Pasi u kthye në Paris në maj 1941, mori pjesë në themelimin e grupit nëntokësor Socialisme et Liberté me shkrimtarët e tjerë Simone de Beauvoir, Merleau-Ponty, Jean-Toussaint, Dominique Desanti, Jean Kanapa, dhe studentët e École Normale. Sartri gjate jetës së vet mori pjesë edhe në politikë.

Sartri ndikoi edhe në sociologji, kritikë, studime letrare, dhe vazhdon të ndikojë. Ai mbeti i angazhuar deri në fund të jetës së tij (viti 1980). Në verë të vitit 1968 gjatë protestave në Paris Sartri u arrestua për mosbindje civile. Presidenti Charles de Gaulle ndërhyri dhe e liroi.

Në vitin 1964, Jean-Paul Sartre nderohet me Çmimin Nobel në letërsi, “për punën e tij plot ide të mbushur me frymën e lirisë në kërkim të së vërtetës, duke ushtruar ndikim shumë të gjerë në epokën tonë”. Shumë njerëz u çuditën, kur Sartri e refuzoi çmimin, duke thënë se ai gjithmonë i ka mohuar nderimet zyrtare dhe se “një shkrimtar nuk duhet ta lejojë veten që të shndërrohet në institucion”.

I urryer, i nderuar, dhe duke dërguar njerëzit në një shqetësim të madh ekzistencial që nga viti 1940, vepra e Zhan Pol Sartrit mbetet tepër e rëndësishme.

Me qëllim “sfidimin e çdo ideje dhe çdo personi”, pohimet e Sartrit kërkojnë që ne të pranojmë përgjegjësinë për zgjedhjet tona dhe botën tonë, duke përqafuar të panjohurën e pakonceptueshme. Filozofia e tij shkatërruese për qenien dhe asgjënë vazhdojnë të zhysin njerëzit në krizat e tyre më të thella ekzistenciale.

Satri vdiq më 15 prill 1980 në Paris nga një sëmundje në mushkëri. Ai prehet në Cimetière de Montparnassenë Paris. Shumë njerëz morën pjesë në varrimin e tij, numri i tyre gjatë marshimit dy-orësh vlerësohet të ketë qenë nga 15 000 deri te 50 000.

Disa nga aforizmat më të famshme të Sartrit janë:
– Jeta nuk ka kuptim në momentin që ju humbisni iluzionin e të qënit të përjetshëm.
– Çdo gjë, çdo gjë do të ishte më mirë se agonia e mendjes, kjo dhimbje që të gërryen, por që nuk dhemb kurrë mjaftueshëm.
– Ferri janë njerëzit e tjerë.
– Ne nuk dimë çfarë duam dhe përsëri jemi përgjegjës për atë që jemi.
– Çdo gjë është zbuluar përveç faktit se si jetojmë.
– Çdo gjë që ekziston është lindur pa arsye, përzgjatet në gjendje të dobët dhe vdes rastësisht.
-Ne duhet të zbulojmë pasionin tonë përpara se ta ndjejmë atë.
– Zoti është mungesa. Zoti është vetmia e njeriut.
– Njeriu është një pasion i kotë.
– Njeriu është i dënuar për të qenë i lirë, sepse sapo hidhet në botë, ai është përgjegjës për çdo gjë bën.
– Fjalët janë pistoleta të mbushura.

Share.