Një zjarr masiv ka përfshirë pyjet me pisha në Voskopojë, në zonën midis Krushovës dhe Shipskës.
Zjarri është aktiv prej disa orësh dhe ka përhapje të madhe. Ende nuk dihet sipërfaqja që është duke u djegur, në zonë kanë shkuar zjarrfikëse dhe punonjës shërbimi.
Përhapja sipas burimeve është e gjerë, e shtyrë edhe nga era. Tymi mund të dallohet lehtësisht në të gjithë rrugën qe vjen nga Korça.
Për momentin, dy fshatrat në afërsi të vatrës nuk duken të rrezikuara, por gjithçka varet nga intensiteti i erës dhe ndihma nga ajri.
Zjarrfikësit e Korçës, Maliqit e Pustecit janë drejtuar aty, por terreni nuk është aspak i favorshëm për ndërhyrje nga toka.
Ndërkohë ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se zjarri vijon prej tri orësh dhe se bëhet fjalë për pesë vatra të vogla, të cilat u bashkuan.
“Është e pamundur për të ndërhyrë nga ajri për shkak të tymit të dendur, dhe favorizimit nga era, dhe ende nuk jemi në atë fazë që të ndërhyjmë me helikopter. Kemi trupa të specializuara që do të ndërhyjnë në terren sapo të largohet tymi i dendur. Zjarri dallohet qartësisht që është i qëllimshëm, dhe më vjen keq për këto veprime. Ka pasur sot një valë të madhe arrestimesh dhe persona të shpallur në kërkim”, u shpreh ai./TV Malisheva