Covid-19 u përhap fare shpejtë pothuajse në tërë botën.
Më 13 mars në Kosovë u shënuan dy rastet e para me virusin SARS-COV-2
Deri më tani në vendin tonë janë regjistruar rreth 7 mijë raste me COVID-19
Armiku i tyre është zjarri dhe përballja me të është një luftë ku jeta e tyre është gjithmonë në rrezik. Zjarrëfikësit në Kosovë nuk e patën aspak të lehtë operimin e tyre gjatë pandemisë. COVID-19 ua vështirësoi jo pak punën në luftën e tyre të përditshme me flakët.
Pas rasteve të para në mars, zjarrfikësve iu kërkua që të jenë në gatishmëri. Sikurse të gjithë kolegët e tyre në mbarë vendin, edhe zjarrfikësit në Prishtinë punuan nga 24 orë dhe pa asnjë ditë pushimi për dy muaj.
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësave të Prishtinës, Latif Zeka, rrëfen përvojën gjatë ditëve të vështira të izolimit ku dita e nata ishin bërë një dhe puna e tyre tashmë kishte shumë të panjohura.
Zeka: Kemi punuar edhe 24 orë
“Kemi shërbyer ashtu siç është kërkuar nga ne, në fillim kemi punuar me orar të zakonshëm pas 15 dite është kërkuar që të punojmë me orar të zgjatur. Pra për shkak të situatës kemi punuar nga 12 orë në 24 orë. Pastaj disa zjarrfikës është dashur të lirohen nga puna, ata që kanë pasur probleme me shëndet dhe ata që kanë qenë më të vjetër se 60-vjeç”, thotë ai
Pavarësisht pandemisë dhe pikëpyetjeve që lidheshin me situatën, zjarrfikësit shërbenin sikurse në çdo kohë tjetër.
Vendimi që personat mbi 60-vjeç dhe ata më probleme shëndetësore duhet të lirohen nga detyra e vështirësoi edhe amë shumë punën e zjarrfikësve të cilët janë në numër të vogël në Prishtinë.
Behar Shala, zjarrfikës, thotë se frika e tyre ishte se mos dikush bëhej shkak që të infektoheshin i gjithë personeli i ndërrimit dhe kjo do të krijonte një situatë të jashtëzakonshme në këtë brigadë.
Shala: Ka qenë frikë se po infektohemi i gjithë stafi i ndërrimit
“Gjatë kohës së pandemisë në profesionin tonë nuk ka ndryshuar shumë, do të thotë ne çdo herë e bëjmë punën e njëjtë. Por këtë herë e kemi pas edhe frikën se po infektohemi diku dhe po e bartim në familje. Po ashtu ka qenë frikë se po infektohemi i gjithë stafi i ndërrimit duke pas parasysh numrin e vogël të zjarrfikësve në Prishtinë”, rrëfen shqetësimin e tij Shala.
Përveç punës së vështirë që bëjnë, ata shqetësoheshin edhe për familjarët. Zjarrëfikësi tjetër, Esat Gashi, u shpreh se vet ata janë të mësuar për rrezikun por fakti se mund të infektojë familjarët i frikësonte.
Pikërisht kjo frikë, bëri që të ndryshonte edhe rutina e jetës së përditshme. Ai tashmë para se të hynte në shtëpi pastrohej mirë në një ambient të veçuar, ndërsa mbante distancën me familjarët.
Gashi: Ne gjithmonë jemi në rrezik, por kësaj here frikësoheshim edhe për familjarët
“Profesionin që e kemi unë si zjarrfikës por edhe zjarrfikësit në përgjithësi jemi në rrezik çdo herë. Në momentin që vjen lajmi që të shkojmë në intervenim e dimë që jemi në rrezik, duhet të ruhemi për vete, pastaj të shuajmë zjarrin dhe më e rëndësishmja të shpëtojmë njerëzit. Sa i përketë kohës së pandemisë jemi frikësuar më së shumti që po infektohemi dhe po e bartim te familjarët tanë. Deri tash e kemi kaluar mirë pasi i kemi marrë edhe masat mbrojtëse. Fillimisht kur kam shkuar në shtëpi kam dal në ballkon i kam ndërruar rroba, jam pastruar pastaj jam takuar me të familjes, por duke qëndruar në një distancë 2-3 metra”, tregon Gashi.
Rekomandimi kryesor i ekspertëve dhe institucioneve shëndetësore ishin masat mbrojtëse që vazhdojnë të jenë si refren papushim për të gjithë ne.
Mirëpo, kur përballesh me zjarrin dhe shpëtimin e jetës së njerëzve dhe sekondat janë vendimtare, për një moment harron gjithçka tjetër. Por, zjarrfikësi Behar Shala thotë se janë munduar që të mbrohen dhe të respektojnë rekomandimet.
Shala: Jemi munduar të mbrohemi
“Duke pasur parasysh specifikat e punës tone, shumë pak binte ndërmend të mbrohemi prej virusit, për arsye se ne e dimë që armik e kemi zjarrin, mirëpo jemi munduar me mundësitë tona. I kemi maskat tona mbrojtëse, jemi munduar me të gjitha ato masat mbrojtëse të mbrohemi”, tha ai.
Komandanti i Brigadës Pofesionale të Zjarrfikësve në Prishtinë, Latif Zeka tregoi se kur pandemia kaploi vendin kishte probleme me zjarre fushore, malore për shkak të thatësisë por kjo ndryshoi pasi filluan të reshurat.
Megjithatë përpos zjarreve, zjarrfikësit iu përgjigjen edhe rasteve të tjera urgjente të mbrojtjes civile.
Zeka: Kur ka filluar pandemia ka qenë thatësirë
“Kur ka filluar pandemia ka qenë thatësirë dhe kemi pas më shumë probleme me zjarre fushore, malore pasi njerëzit kanë filluar t’i pastrojnë pronat e tyre dhe nuk kanë pas mundësi t’i menaxhojnë. Por me fillimin e reshjeve atmosferike kemi pas më shumë aksidente, hapje të ashensorëve, eliminime të rreziqeve, sikur fasadat prej erërave e kështu me radhë”, tha Zeka.
Izolimi dhe detyrimi për të qëndruar mbyllur në shtëpi, për zjarrfikësit e kishte anën e saj pozitive. Pasi duke qenë njerëzit gjatë gjithë kohës në shtëpi, janë treguar më të kujdesshëm dhe rastet e zjarreve kanë qenë në numër më të ulët se vitet e kaluara në të njëjtën periudhe.
Gjatë kohës së pandemisë, zjarrfikësi Shala thotë se kanë intervenuar në rreth 530 raste, por rastet që cilësohen si të brendshme që mund të jenë zjarret në shtëpi apo ndërtesa banimi, kanë qenë më të rralla.
Shala: Jemi munduar të mbrohemi
“Gjatë kësaj kohe nuk kanë munguar rastet, mirëpo rastet e brendshme, si zjarr në shtëpi, ndërtesa apo depo kanë qenë më të rralla për shkak se njerëzit kanë qenë në shtëpi dhe besoj që ka qenë një kujdes më i mirë i tyre. Njësia jonë numëron afër 530 raste të ndryshme deri tash por jo siç i kemi pritë”, tha ai.