Në kohë fushate jemi mësuar të dëgjojmë politikanët të bëjnë premtime të shumta për qytetarët e Kosovës, duke i vizituar ata dhe duke u dhënë përkrahje e premtime.
Por, pas zgjedhjeve duket se ato premtime harrohen dhe asnjë nuk realizohet.
Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se qëllimi i fushatave parazgjedhore është zgjimi i vëmendjes dhe i motivimit të votuesve për t’ia dhënë besimin një partie politike apo kandidatëve të pavarur që garojnë.
“Qëllimi kryesor i fushatave parazgjedhore është zgjimi i vëmendjes dhe i motivimit të votuesve për t’ia dhënë besimin një partie politike ose kandidatëve të pavarur që futen në garë! Në vende me traditë më të gjatë e më të mirë premtimet bëhen të bazuara në programe konkrete që i ofrohen elektoratit dhe, kandidatët gjatë fushatës vetëm i zbërthejnë programet e subjekteve të tyre politike! Te ne kjo kohë ende nuk ka ardhur, sepse shumica e partive politike nuk kanë programe, prandaj bëjnë fushata me fjalë të mëdha por boshe dhe me premtime mashtruese”, është shprehur ai.