Pas njoftimit të dërguar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë për konsumatorët komercialë në nivelin e tensionit 35 kV për detyrimin e tyre që pas datës 31 mars 2020 të sigurojnë operatorin e përshtatshëm për furnizim me energji elektrike me tarifa jo të rregulluara, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Këshilli i Investitorëve Evropianë u bëjnë thirrje Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për shtyrjen e serishme të këtij afati për kohë të pacaktuar deri në krijimin e rrethanave të cilat do të mundësonin liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
“Duke rikujtuar kërkesën e parashtruar para një viti si dhe vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike për shtyrjen e afatit për liberalizim për një vit, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Këshilli i Investitorëve Evropianë, theksojnë se përgjatë periudhës së kaluar dymbëdhjetëmujore nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë e cila do të lejonte zbatimin e duhur të akteve ligjore të cilat parashohin liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, respektivisht furnizimin e konsumatorëve të sipërcekur komercialë me energji elektrike me tarifa jo të rregulluara. Pavarësisht se në Kosovë janë lincencuar disa operatorë për furnizim me energji elektrike, duhet nënvizuar se vetëm njëri prej tyre ka kapacitetet që të funksionojë në praktikë si furnizues i mundësisë së fundit. Në rrethana të tilla të ofertës së kufizuar dhe detyrimit për të kaluar në treg të liberalizuar, konsumatorët komercialë do të ballafaqohen me situatë kur fuqia e tyre negociuese si konsumatorë është më e kufizuar, duke bërë që ata të paguajnë tarifa të energjisë elektrike, më t larta se mestarja e tarifave të rregulluara. Në këto rrethana, ekziston po ashtu mundësi reale që operatori në fjalë të abuzojë me pozitën dominuese, duke cenuar kështu edhe parimet e ekonomisë së tregut me konkurrencë të lirë, që është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e përbashkët.
Një situatë e tillë sipas kësaj komunikate, do të rëndonte mbi një numër konsumatorësh komercialë të sektorit prodhimit dhe rrjedhimisht do të ishte në kundërshtim me përpjekjet për fuqizimin e industrisë prodhuese të Kosovës dhe përmirësimin e bilancit tregtar, në një kohë kur ndërmarrjet prodhuese ballafaqohen me presion të shtuar konkurrues nga tregjet ndërkombëtare, si dhe me vështirësi të tjera ligjore e rregullative, që pamundësojnë fuqizimin e tyre. Zbatimi i këtij vendimi do të përkeqësonte edhe ofertën e Kosovës për investitorët e jashtëm.
“Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Këshilli i Investitorëve Evropianë përsërisin shqetësimin e tyre se nga negociatat preliminare me furnitorin aktual vitin e kaluar ishte paralajmëruar mundësia e rritjes për 30-70% të çmimit të furnizimit me energji elektrike, gjë që i bie që një ndërmarrje e cila ka faturë vjetore në shumë prej 1 milionë eurosh, në kushte të ofertës së kufizuar dhe detyrimit për të kaluar në treg të liberalizuar, do të duhej të paguante një shumë shtesë prej 300,000-700,000 euro, ndërsa ata konsumatorë që nuk arrijnë të nënshkruajnë marrëveshje me furnizuesin mund të përballen me shtrenjtim të çmimit të energjisë deri në 200%. Kjo pa dyshim, është në kundërshtim me përfitimet e liberalizimit të tregut të energjisë”, thuhet tutje në komunikatë.
Krejt në fund, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Këshilli i Investitorëve Evropianë, përsërisin edhe një herë kërkesën për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë që të marrë vendim për shtyrjen e vendimit për liberalizim deri në rrethana kur në tregun e energjisë elektrike të kishte më tepër operatorë funksionalë, ndërsa kërkesa e institucioneve të sipërcekura do të argumentohet edhe para Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë. Në rast se Zyra e Rregullatorit të Energjisë dështon të përmbushë njërin prej qëllimeve thelbësore në misionin e saj e që është mbrojtja e të drejtave të konsumatorëve të energjisë elektrike, odat ekonomike i bëjnë thirrje komisionit përkatës parlamentar që mbikëqyr ZRRE-në, por edhe deputetëve të Republikës së Kosovës që të kërkojnë nga ky institucion rregullativ që të përmbahet nga vendimet që cenojnë përparësitë konkurruese të ndërmarrjeve prodhuese, vështirojnë operimin e sektorit privat dhe investitorëve të huaj në Republikën e Kosovës